Sulmet në Bryansk, a po nis kryengritja e armatosur brenda Rusisë?

Nga Andrera Braschayko “Il Foglio

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com    

Rrëfimi i servirur për publikun nga shërbimi federal rus i sigurisë, FSB, dhe versionet pasuese të propaganduara nga media e Moskës, e përkufizuan shpërthimin e 2 ditëve më parë në fshatrat Lyubichane dhe Sushany si një sulm terrorist të kryer nga një “grup nacionalistësh ukrainas”, të cilët hynë në Rusi nga kufiri me rajonin ukrainas Chernihiv.

E vërteta është se afro 45 sulmuesit e 2 godinave të vogla në rajonin rus Bryansk janë pjesë e RDK, trupës vullnetare të qytetarëve rusë të formuar në prillin e vitit 2022 për të luftuar ushtrinë e Putinit në Ukrainë. Shumë prej tyre kanë qenë dikur pjesë e së djathtës ekstreme ruse.

Edhe pse janë një pakicë e saj në krahasim me neo-nazistët si Grupit Vagner dhe neo-caristët si Strelkov. Në çdo rast, Kievi e mohoi menjëherë pretendimin se ka trajnuar njerëz për të kryer operacionin apo të kishte çfarëdolloj lidhje me të.

Në videon e shkurtër që ishte një lloj “manifesti” i operacionit, një nga fytyrat më të njohura të batalionit, nacionalisti rus Denis Nikitin, e mohon versionin që nxitoi të japë Kremlini. “Ne nuk jemi këtu për të luftuar civilët, por për t’u treguar bashkatdhetarëve tanë se ka shpresë, dhe se të gjithë rusët e lirë duhet të rrëmbejnë armët dhe t’i bashkohen luftës kundër regjimit aktual”-thotë Nikitin, mbiemri i vërtetë i të cilit është Kapusti.

Në video ai tregon disa adresa, mes tyre të një qendre shëndetësore në Lyubichane. Në videon e shkurtër ai shfaqej bashkë me një tjetër luftëtar rus, Alexander, me emrin e betejës “Fortuna”. Më 31 marsin e vitit të kaluar Nikitin i bëri thirrje nacionalistëve të bardhë evropianë përmes kanalit të tij në Telegram që të rrëmbenin armët.

Pavarësisht përbuzjes për presidentin hebre Zelensky, që sipas tij është fajtor për dëshirën për t’ia “shitur Ukrainën Perëndimit dhe për të promovuar vlerat më të këqija liberale”, lufta në Ukrainë ishte sipas pikëpamjes së Nikitin një mundësi që nacionalistët të zhvillojnë një luftë për politikën dhe identitetin e ardhshëm të të dyja vendeve.

Një hetim i vitit 2020 nga gazeta e pavarur ukrainase “Zaborona”, kishte rindërtuar lidhjet e Nikitin me eksponentët më radikalë të Azov, ultrasve të futbollit. Para ndeshjes Rusi-Angli në Kampionatin Evropian të vitit 2016, bashkë me qindra huliganë të tjerë, rusët si Nikitin i kishin vënë flakën Marsejës, gjatë përleshjeve të famshme, ku 2 tifozë anglezë përfunduan në koma dhe njëri mbeti i paralizuar.

Vetë Putin kishte ndihmuar në ngritjen e ekstremit të djathtë në Rusi për gati dy dekada, si dhe financimin e kësaj kudo nëpër Evropë. Megjithatë, kur po afrohej nisja e Botërorit 2018, qeveria ruse nisi të ndryshojë marrëdhëniet e saj me disa nga grupet më të dhunshme, nga frika e publicitetit të keq gjatë atij aktiviteti të madh sportiv.

Ndoshta ishte pikërisht ai episod që shënoi edhe fundin e mbrojtjes nga autoritetet ruse ndaj Nikitin, që përmes kontakteve me Azov u zhvendos në Ukrainë në vitin 2017, ku ngriti një vend dyluftimesh në Kiev me emrin Reconquista. Lidhjet midis të djathtës ekstreme ukrainase dhe saj ruse janë shumë më komplekse sesa thjesht përmes retorikës nacionaliste.

Pavarësisht se ka kaluar shumë kohë në Gjermani – dhe ka nënshtetësi gjermane – me ultrasit e ekipit gjerman të Këlnit, perandoria e vërtetë e Nikitin është në fakt ajo e ndeshjeve në artet marciale të përziera (MMA), falë të cilave ai njihet sot si një nga figurat kryesore të krahut të ekstremit të djathtë në Evropë.

“Ai duket se ka lidhje me përleshjet e paligjshme në rrugë dhe vandalizmit në çdo vend evropian”- thotë eksperti mbi ekstremizmin e krahut të djathtë Robert Klaus. Edhe marka e tij Ëhite Rex ka lindur në botën e arteve marciale të përziera. Që nga hapat e saj të parë në qytetet ruse në vitin 2008, ajo u shndërrua në një markë që shoqëron sot shumë ngjarje të rëndësishme luftarake të organizuara nëpër Evropë, përfshirë CasaPound në Romë, Itali.

Më pas u përhap në përgjithësi si një markë veshjesh sportive e ekstremit të djathtë, në të cilën ka shumë se referenca të qarta ndaj mesazheve të urrejtjes ose simboleve të hapura naziste, referenca që janë shumë pranë supremacizmit të bardhë dhe luftës kundër botës liberale.

Sipas gjermanes “Der Spiegel:, Nikitin u arrestua në vitin 2019 nga policia ukrainase për trafik droge. Por ai duket se është dëshmuar i dobishëm pas pushtimit rus, megjithëse sigurisht jo i besueshëm. Siç e theksoi gazetari i portalit të njohur investigativ Bellingcat, Michael Colbrone, në vitin 2019 Nikitin iu ndalua hyrja në Gjermani me dyshimin e lidhjeve me shërbimet sekrete ruse.

Pikërisht për këtë arsye mund të mos jetë e qartë edhe lidhja e tij me ukrainasit, pavarësisht se u shfaq si vullnetar që nga viti i kaluar.

Kjo është gjithashtu një nga arsyet pse shumë njerëz në Kiev kanë folur për një “sulm të inskenuar” dhe një provokim rus. Ndërkohë këshilltari i presidentit Zelensky, Mikhailo Podolyak, dhe zëdhënësi shërbimit sekret, Andriy Yusov, kanë përmendur në një mënyrë disi të mjegullt luftën partizane dhe rritjen e trazirave të brendshme në Rusi. /albeu.com


Shtuar 4.03.2023 09:42