Bota në prag të katastrofës, bombat bërthamore në Bjellorusi, çfarë synon Vladimir Putin?

Nga Danilo Secci “Formiche.net

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të shtunën e kaluar, gjatë një interviste për kanalin televiziv “Rossiya 1”, presidenti rus Vladimir Putin bëri disa deklarata që krijuan njëfarë alarmi në opinionin publik evropian. Udhëheqësi rus njoftoi vendosjen e armëve bërthamore në territorin e Bjellorusisë, duke ofruar një sërë detajesh të dobishme për të kuptuar shtrirjen e kësaj lëvizjeje në skenarin e konfliktit në Ukrainë dhe në përgjithësi në ekuilibrin strategjik në kontinent.

Konkretisht, ai deklaroi se Rusia ka vendosur disa sisteme raketore me aftësi bërthamore Iskander, se Minsku zotëron avionë luftarakë sulmues të aftë të lëshojnë bomba atomike, dhe deri më 1 korrik do të përfundojë puna për ndërtimi i një baze për ruajtjen e këtyre bombave.

Ndikimi emocional në opinionin publik të këtyre deklaratave është më se i kuptueshëm, prandaj është e nevojshme të bëhen disa sqarime mbi natyrën e bujshme të lajmit, mbi sjelljen e Kremlinit dhe mbi justifikimet e supozuara që parashtron.

Së pari, lajmi nuk e ndryshon kuadrin informativ mbi balancën e forcave që po formohet në Evropë. Që në qershorin e vitit t kaluar, lideri rus deklaroi arritjen e një marrëveshjeje me presidentin bjellorus Lukashenko për vendosjen e sistemeve Iskander, si dhe zhvillimin e disa avionëve Sukhoi Su-25 për t’i bërë ata të aftë të përdorin bomba bërthamore.

Prandaj, Putin nuk bëri asgjë tjetër veçse e specifikoi ecurinë e punës mbi vendimet e marra muaj më parë. Aktualisht ekzistojnë 10 avionë Su-25 të modifikuar, ndërsa për variantin e sistemit Iskander Putin nuk dha asnjë detaj. Prandaj mund të jetë si varianti “M”, me një rreze veprimi prej 400 kilometrash, dhe varianti “K”, i aftë të lëshojë një raketë lundrimi me një rreze veprimi gati 500 kilometra.

Në çdo rast, të dyja sistemet raketore Iskander-M dhe Iskander-K janë të afta të mbajnë një bombë taktike bërthamore, me një potencial shkatërrues prej 5-50 kiloton (pra gati sa dyfishin i fuqisë së bombave që shpërthyen në Hiroshima – 15 kiloton – dhe Nagasaki – 20 kiloton).

Ndërkaq, Putin deklaroi se trajnimi i departamenteve të menaxhimit të këtyre bombave do të fillojë më 3 prill, dhe se puna për ndërtimin e vendit të ruajtjes së tyre do të përfundojë deri më 1 korrik. Këto deklarata duket se nënkuptojnë se bombat nuk janë transferuar ende. Pajisjet transportuese kanë qenë gati, trajnimi i personelit do të fillojë në prill dhe bombat atomike do të mbërrijnë në korrik. Nëse është ky kalendari i veprimeve, nuk kuptohen

arsyet e paraqitura nga Putin në “Rossiya 1” për ta justifikuar këtë lëvizje “të re”. Sipas udhëheqësit rus, vendosja e bombave luftarake në Bjellorusi është një reagim ndaj vendimit të Londrës për të furnizuar Kievin me municione me uranium të varfëruar.

Por njoftimi i qeverisë britanike erdhi vetëm pak ditë më parë, në një kohë që vendimi për vendosjen në Bjellorusi të sistemeve Iskandere dhe modifikimin e avionëve Su-25 daton që në qershor 2002. Elementi i ri në deklaratat e Putinit, është ai që ka të bëjë me vendin e ruajtjes, nga i cili megjithatë ai bën me dije vetëm datën e përfundimit të punimeve.

Kjo mund të sugjerojë se ndërtimi i bazave ka nisur tashmë, pra që përpara vendimit për furnizimin e Ukrainës me municione me uranium të varfëruar. Gjithsesi, edhe pse me një veprim delikat të manipulimit/ndryshimit të informacionit (tipike për gjuhën e propagandës dhe dezinformimit), presidenti rus thotë se uraniumi i varfëruar është “i lidhur me teknologjinë bërthamore”, që në realitet ka një ndryshim të rëndësishëm material midis predhave që përdorin uranium “të varfëruar” (izotopi U-238) për të rritur aftësinë shpuese të mjeteve të blinduara të armikut dhe pajisjeve që mund të përdorin uranium të “pasuruar’ (izotopi U-235) në bombat bërthamore.

Për më tepër, përdorimi i kësaj të fundit do të kishte pasoja që nuk do të kufizoheshin në një tank apo fushëbetejë të vetme, por në një zonë shumë më të gjerë, që përfshin krahina të tëra dhe qendra të banuara.

Putin shfrytëzoi shpalljen e paketës së re të ndihmës për Kievin për ta lidhur retorikën e tij bërthamore me vendimin për dërgimin e municioneve konvencionale të marra nga një vend i NATO-s (Mbretëria e Bashkuar), duke u mbështetur tek termi “uranium”.

Ky i fundit i referohet në mënyrë të pashmangshme elementit radioaktiv, një burim shqetësimi dhe alarmi për komunitetet. Kjo me synim vendosjen në një nivel të instrumenteve ushtarake dhe vendimeve politike, të cilat siç e pamë nuk janë në të njëjtin nivel.

Në këtë pikë, është e nevojshme të pyesim veten se cilat mund të jenë arsyet dhe objektivat reale të Moskës, që fshihen në këto deklarata. E para mund të jetë një nga të ashtuquajturat “masa aktive”, klasike dhe tashmë të njohura nga Moska, që synon të pakësojë mbështetjen e opinionit publik perëndimor për fushatën e ndihmës ushtarake ndaj Kievit.

Kjo synohet të arrihet duke shfrytëzuar frikën nga energjia bërthamore, e nxitur si në këtë rast nga diskreditimi dhe ndryshimi i perceptimit të fushëveprimit të disa vendimeve për të mbështetur Ukrainën.

Së dyti, lëvizja e Kremlinit mund të interpretohet si përgatitore për skenarin strategjik që do të marrë formë nga fundi i pranverës, kur sapo të përfundojë sezoni i baltës (“rasputisa”), dhe të nisë ofensiva e shumë paralajmëruar ruse përgjatë gjithë linjës së frontit.

Në këto kushte vendosja e armëve bërthamore në Bjellorusi, synon të shërbejë si një formë parandalimi kundër vendeve të NATO-s, dhe veçanërisht shteteve baltike dhe Polonisë, në lidhje me çdo iniciativë të ardhshme për të mbështetur Ukrainën në kontekstin e një faze të re të sulmit nga forcat ruse.

Së fundi, dhe në një perspektivë kohore më të gjatë, iniciativa e Putinit mund të jetë treguese dhe përgatitore për një fazë të ardhshme negociatash:nuklearizimi i Bjellorusisë, mund të përdoret nga pala ruse si një mjet pazari në negociatat më të gjera për ndërprerjen e armiqësive, përcaktimin e të ardhmes së Ukrainës dhe rishkrimin e ekuilibrit të forcave në makro-zonën midis Balltikut dhe Detit të Zi.

Pavarësisht nga ambiciet dhe llogaritjet që bën Kremlinit, fakt është se dërgimi i armëve bërthamore në Bjellorusi, do ta ndryshojë ekuilibrin strategjik në Evropë. Mund të imagjinohet një përgjigje proporcionale nga Aleanca Atlantike, e cila ndoshta tashmë po diskutohet në Bruksel, por që do të materializohet vetëm pasi bombat atomike ruse të mbërrijnë në Minsk. /albeu.com

Shënim:Danilo Secci, studiues i asociuar i Institutit të Shkencave Sociale dhe Studimeve Strategjike “Gino Germani”, i specializuar në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.

 


Shtuar 29.03.2023 11:46