Dy heroina shqiptare në Itali, nuk u trembën as nga arma, si e parandaluan shkodranet grabitjen në farmaci

Dy shqiptaret, Maria dhe Albana me ndërhyrjen e tyre kanë parandaluar një grabitje në farmacinë Galluzo në Firence.

Ngjarja ndodhi pasditen e së martës, kur në farmaci pati panik të madh.

Një hajdut i armatosur priti disa minunta në radhë në një farmaci, i maskuar me kapuç dhe shall për të mbuluar fytyrën dhe kur i erdhi radha, i drejtoi armën farmacistes duke i kërkuar paratë. Në këtë moment, dy shqiptaret që kujdeseshin për mirëmbajtjen dhe pastrimin, Maria dhe Albana, mikesha, gjetën forcën të vepronin instinktivisht dhe shmangën më të keqen.

“Po pastroja raftet pranë hyrjes së farmacisë pashë nga larg që ai djali i kishte drejtuar armën doktoreshë Elisa-s, e pashë të rrëzohej nën banak, kisha frikë se mund të kishte vdekur. Më pas pashë që grabitësi e kishte vendosur armën në banak, nuk e mendova asnjë sekondë, instinktivisht shkova drejt tij duke u munduar të nxitoja por pa u dëgjuar, mora armën nga banaku dhe vrapova drejt tij. Kur dola nga farmacia me armë në dorë, ai më ndoqi”, tha Maria, 39 vjeçe.

Mes Marias dhe grabitësit ndodhi një përleshje. Maria u rrëzua në tokë, hodhi armën, por mikesha e saj nuk e lë në baltë. Albana vrapon të marrë armën dhe ikën së bashku me të. Grabitësi ndjek Albanën, ata kalojnë nëpër rrugët e Piazza del Galluzzo, më pas Albana hedh pistoletën në asfalt, grabitësi e merr atë dhe zhduket.

Pas kësaj, Maria dhe Albana janë rikthyer në punë në farmacinë Galluzzo.

Maria është 39 vjeç, jeton në Itali që në moshën 19 vjeçare, është e martuar dhe ka 3 fëmijë. Albana ka dy fëmijë, prej 23 vitesh ndodhet në Itali. Të dyja kanë lindur në Shkodër, mbërritën shumë të reja në Itali për të qëndruar me bashkëshortët e tyre./Albeu.com/


Shtuar 5.05.2023 11:50