Sherri me armë zjarri për një vend parkimi në Berat, në pranga dy persona

Kanë rënë në prangat e policisë dy persona që u përfhsinë në një konflikt me armë zjarri ditën e djeshme në Berat.

Uniformat blu bëjnë me dije se është arrestuar 55-vjeçari Ilir Mamurani, që qëlloi me armë zjarri në ajër edhe 25-vjeçari, Emiljano Zoga.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi dje rreth orës 12:00 në lokalin “Bar Kristi” në lagjen “30 Vjetori” në Berat, ku mësohet se ka nisur sherri mes tyre. Më pas, ata kanë dalë jashtë dhe 55-vjeçari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në ajër, duke tmerruar banorët e lagjes.

Paraprakisht dyshohet se shkak për konfliktin është bërë parkimi i mjeteve, ndërkohë që policia po punon për kapjen e autorit.

Njoftimi Policisë

Berat

Qëlloi me armë zjarri në ajër, pasi u konfliktua fizikisht me një 25-vjeçar, për motive të dobëta, kapet në kohë rekord, dhe vihet në pranga 55-vjeçari.

Në pranga edhe 25-vjeçari, pasi nuk kallëzoi rrethanat e konfliktit.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me të cilën u qëllua në ajër dhe një armë gjahu gjysmë-automatike.

Procedohet penalisht vëllai i 55-vjeçarit, për posedimin pa leje të armës së gjahut.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “30-vjetori”, ishte qëlluar me armë zjarri në ajër, pas një konflikti midis 2 shtetasve, kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, si dhe për arrestimin e përgjegjësve.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale procedurale, në kohë rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Berat, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. M., 55 vjeç, banues në Berat, i cili dyshohet se rreth orës 12:00, të datës 09.06.2023, pas një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin E. M., ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Gjithashtu, për këtë rast u arrestua edhe shtetasi E. M., 25 vjeç, banues në Berat, sepse pas konfliktit, u largua, dhe nuk dha sqarime për rastin. Në vijim, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. M., 49 vjeç (vëllai i shtetasit I. M.), pasi gjatë kontrollit në banesë, iu gjet një armë gjahu gjysmë-automatike, të cilën e posedonte pa leje.

Kjo armë gjahu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit pistoletë me të cilën shtetasi I. M. dyshohet se qëlloi në ajër./albeu.com/