Ekzekutimi mafioz i 6 personave, arrestohet 32-vjeçari që i nxorri në pritë

Policia greke ka arrestuar ditën e djeshme një 32-vjeçar turk, që dyshohet se mund të ketë njohuri për masakrën e ndodhur në lagjen e quajtur Artemidë, në Athinë, dy ditë më parë. Turku u kap teksa ishte duke u larguar nga Greqia drejt Turqisë. Atij iu gjetën 4 gëzhoja 9 mm dhe 2 karta false.

Nga dëshmitë e disa banorëve të zonës turku kishte njohje me një nga viktimat e vrasjes. Sipas ekspertizave mjeko-ligjore vrasësit e gjashtë turqve kishin përdorur 4 armë zjarri, 2 prej të cilave pistoletë.

Nga hetimet, deri më tani del se viktimat kishin ngritur një grup kriminal që vepronte në vendet e BE-së, por jo në Greqi. Automjeti me të cilin udhëtonin vinte nga Gjermania, me targa gjermane false.

Po ashtu gjatë ditës së sotme u zbulua edhe shtëpia ku qëndronin përkohësisht viktimat, vetëm 2 km larg vendit ku u ekzekutuan. Ata kishin marrë me qira një apartament përmes Airbnb, për të ruajtur anonimatin dhe për të mos rënë në sy të grupeve rivale.