Kanalizimet e Elbasanit, tender 6.4 milionë euro me kritere të dyshimta

Tre ditë më parë, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan hapi një tender të madh me fond limit 703.8 milionë lekë për rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në zonat informale të Elbasanit. Bëhet fjalë për rrjetin e kanalizimeve në Harmës, Krastë e Vogël si dhe lagjet Dyli Haxhire dhe Katund i Ri.

Sipas thirrjes së publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kompanitë e interesuara kanë afat deri në datën 12 qershor për të paraqitur ofertat e tyre. Por publikimi i dokumentave shoqëruese të tenderit ka shkaktuar habinë e shumë kompanive të ndërtimit. Disa prej tyre thonë se tenderi ka kritere dhe kërkesa të dyshimta kualifikimi.

Sipas dokumentave, në kapitullin e kritereve të veçanta të kualifikimit kompanive u kërkohen të kenë dy inxhinierë ndërtimi me profilin konstruktor/strukturë edhe pse nuk bëhet fjalë për ndërtime strukturash, por thesht për kanalizime. Paralelisht kërkohet që kompanitë të kenë 2 inxhinierë hidroteknikë, 3 topografë, 2 gjeologë, 9 hidraulikë, 4 saldatorë, 7 muratorë etj.

Të gjithë këta punonjës nuk lejohen të kontraktohen nga jashtë, por duhet të kenë qenë pjesë e listëpagesave të kompanisë të paktën 3 muaj pas shpalljes së tenderit. Një kostum i qepur me porosi.

Kompanitë e ndërtimit thonë se këto janë vetëm një pjesë e kritereve përjashtuese që janë vendosur në tender. Pjesa tjetër lidhet me makineritë që kërkohen. Në dokumenta kërkohet që kompanitë të kenë 39 lloje makinerish, për të cilat është përcaktuar në detaje sasia dhe tonazhi sa duhet të peshojnë apo çfarë kapaciteti duhet kenë. Ndërtuesit thonë se një pjesë prej makinerive që janë vendosur si kritere të domosdoshme kualifikimi nuk i lidh asnjë funksion në procesin e ndërtimit të kanalizimeve, por janë vendosur aty për të kufizuar konkurrencën.

Absurdet e kritereve të veccanta në këtë tender janë të shumta, aq sa kërkohet edhe sondë shpimi, në një punë ku ka vetëm ndërtim kanalesh maksimumi 1.5 metër të thella edhe kontratë noteriale me një laborator të akredituar. Kompanitë dyshojnë se kriteret janë vendosur qëllimisht për të paracaktuar fituesin e tenderit. Madje nën zë ato përmendin edhe emrat e kompanive që janë paracaktuar si fituese, njëra prej të cilave është e lidhur me një zyrtar të lartë të një institucioni në varësi të Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ndërsa tjetra është një kompani lokale e lidhur me bandat e Elbasanit.

Kriteret përjashtuese janë një nga format kryesore përmes të cilave manipulohen tenderat publikë për të paracaktuar fituesin. Me gjithë ndryshimet e herë pas hershme në ligjin e Prokurimeve dhe fuqizimin e rolit të APP-së, sërish institucionet publike që bëjnë tendera ia dalin të vendosin kritere, që kufizojnë konkurrencën, orientojnë prokurimin në pazare korruptive dhe rrisin koston që paguajnë qytetarët./oligarkia