Bolsonaro kthehet në Brazil, pritet ta ndihmojë opozitën djathtiste

Ish-presidenti djathtist i Brazilit, Jair Bolsonaro, është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten, më 30 mars. Ai u prit nga qindra përkrahës në aeroportin e kryeqytetit brazilian, Brazilia, për ta mirëpritur atë pas tre muajve azil të vetë-imponuar.

Zyrtarë të partisë së tij, Partisë Liberale, thanë se Bolsonaro, i cili nuk e pranoi humbjen në zgjedhjet e vitit të kaluar, pritet ta drejtojë opozitën ndaj presidentit majtist, Luiz Inacio Lula da Silva.

Mirëpo, Bolsonaro, para se të largohej nga Florida, kishte thënë për mediumin amerikan CNN se ai nuk do ta drejtojë opozitën ndaj liderit aktual të Brazilit.

Disa analistë kanë theksuar se gjatë mungesës së tij tre-mujore, politikanë të tjerë konservativë janë shfaqur në sferën politike të Brazilit.

Kjo është herë e parë që Bolsonaro është kthyer në vendlindjen e tij që kur përkrahësit e tij sulmuan ndërtesat qeveritare në Brazilia më 8 janar. Ai është nën hetime për rolin e tij në nxitjen e këtij sulmi.

Lula e kishte mposhtur me rezultat të ngushtë Bolsonaron në zgjedhjet presidenciale të 30 tetorit të vitit të kaluar. Njëjtë si Bolsonare, edhe shumë përkrahës të tij nuk e kishin pranuar rezultatin dhe ishin grumbulluar para kazermave të ushtrisë me shpresën se ushtria do ta rrëzonte presidentin e sapozgjedhur.

Por, institucionet braziliane, përfshirë këtu edhe ushtrinë, e pranuan rezultatin e zgjedhjeve dhe kalimin e presidencës te Lula. Pas kësaj, Bolsonaro nuk u shfaq shumë në publik, por mbështetësit e tij nuk ishin të qetë.

Ata sulmuan ndërtesat kryesore qeveritare në Brasilia vetëm një javë pasi Lula mori pushtetin dhe më shumë se 1.500 njerëz ishin arrestuar.

Edhe pse Bolsonaro ishte në Florida kur ndodhi ky incident, hetuesit argumentojnë se retorika e tij – duke mos e pranuar vlefshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve dhe duke thënë se vetëm zoti apo vdekja do ta largonte nga karrigia – i kishte nxitur protestuesit.

Bolsonaro është gjithashtu nën hetim për dyshimet se tentoi të importonte dhe mbante ilegalisht bizhuteri në vlerë prej miliona dollarësh iu dhanë atij dhe gruas së tij nga Arabia Saudite në vitin 2019. Bolsonaro është thirrur për të dëshmuar për këtë rast brenda më pak se një jave.

Pas sulmit ndaj ndërtesave qeveritare, policia i ka ndërmarrë disa masa, si rrethimi i sheshit të kryeqytetit. Sipas mediumit brazilian, O Globo, në mesin e turmës që e priti në aeroport Bolsonaron kishte më shumë policë sesa përkrahës.

Ai pritet të takohet me bashkëshorten e tij, Michelle, dhe liderët e partisë në selinë e Partisë Liberale./rel