Finalja e Champions League, Çalhanoglu: Do të japim shpirtin në fushë

Interi është bërë gati për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve përballë Manchester Cityt ditën e nesërme në Stamboll, ora 21:00.

Për këtë takim, mesfushori i zikaltërve, Hakan Çalhanoglu, u shpreh se ka besim te skuadra dhe se do të bëjnë çmos për të shkruar historinë.

“Nuk kemi sekrete, do të luajmë lojën tonë duke ditur se City është një skuadër e fortë. Mezi po presim që të futemi në fushë dhe të shkruajmë historinë tonë.

Vitin e shkuar ne luajtëm mirë në Ligën e Kampionëve kundër skuadrave të forta, por u eliminuam. Tani kemi përmirësuar shumë gjëra, në lojë dhe në mentalitet. Nesër do të jetë një ndeshje tjetër, ndryshe dhe e komplikuar, por ne do të japim 100% për ta fituar këtë sfidë.

Jemi përgatitur për vuajtjen, e dimë që ata luajnë mirë. Do të japim shpirtin në fushë. Jam shumë i sigurt”, u shpreh Çalhanoglu.


Shtuar 9.06.2023 18:21