Vdekja tragjike e 17-vjeçarit në Sarandë, Allkushi: Pajisjen e montova para 4 vitesh, nuk është kontrolluar më

Një ngjarje tragjike tronditi Sarandën në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Kamarieri 17-vjeçar Antonio Delilaj humbi jetën në “Orange Club” pasi e zuri poshtë ashensori, kavoja e të cilit u këput.

Lidhur me ngjarjen u arrestua Lulëzim Allkushi, 43 vjeç. Ky i fundit kishte montuar ashensorin që përdorej kryesisht për transport të mallrave.

Allkushi ka deklaruar pas arrestimit  se montimi i pajisjes është bërë 4 vite më parë.

Ai ishte me profesion saldator dhe nuk ishte i licensuar për t’u marrë me aktivitetin e montimit të ashensorëve.

I arrestuar me akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, Allkushi ka treguar se gjatë këtyre 4 viteve nuk i ishte kërkuar që të kryente kontrollin e ashensorit në lokalin ku humbi jetën 17 vjeçari Antonio Deliaj.

“Para 4 vitesh më ka kontaktuar pronari i lokalit, Spiro Iliadhi. Më kërkoi që t’i montoja një pajisje si ashensor në mënyrë që të ngjisnin produkte ushqimore nga kati i parë në katin e dytë. Montimi është bërë që para 4 vitesh dhe që prej asaj kohe nuk më është kërkuar që ta kontrolloja”, ka thënë ai.

Në kërkim policia shpalli pronarin e lokalit, Spiro Iliadhin. 37 vjeçari akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe punësim të paligjshëm.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, policia deklaroi të shtunën se shkak u bë këputja e kavos së ashensorit që shërbente kryesisht për transport materialesh për furnizimin e lokalit.

Ndërsa në reagimin e Inspektoriatit Shtetëror të Mbykjqyrjes së Tregut thuhej se pajisja që pësoi defekt nuk ishte ashensor, por një pajisje e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, ndaj edhe më herët nuk ka patur inspektime nga ky institucion./Albeu.com