Ajo që po ndodh në Francë do të ketë pasoja në mbarë Evropën

Nga George Pagoulatos “Kathimerini

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Javët e fundit Franca është tronditur nga protesta të vazhdueshme dhe të dhunshme. Arsyeja është rritja e moshës së daljes në pension nga 62 në 64 vjeç. Kjo reformë është shumë e papëlqyeshme nga qytetarët, por ka një rol kyç në programin qeverisës të Emmanuel Macron dhe për atë që ai u zgjodh si president.

Ajo nuk u votua në parlament, por Macron e miratoi përmes një dekreti, siç e lejon një nen i veçantë i Kushtetutës së Francës. Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së tij në parlament u rrëzua. Në pamje të parë duket disi ironike që rritja e moshës së pensionit në 64 vjeç, mund të shkaktojë një rezistencë kaq të ashpër, kur në shumicën e vendeve të BE-sw ky kufi është 65 ose 67 vjeç.

Reforma synon ta bëjë të qëndrueshëm sistemin e pensioneve, në mënyrë që ajo të mos rëndojë mbi segmentet e popullsisë ekonomikisht aktive dhe që japin kontribute më të larta në skemë (siç bëri së fundmi qeveria spanjolle). Disa qeveri do të preferonin më mirë të shmangnin dhimbjen e reformës së pensioneve (një politikë e tillë nga qeveritë greke të para 2009-ës e detyroi vendin të niste nga vitit 2010 reduktime të mëdha pensionesh dhe vendoste masa shtrënguese të gjata në kohë).

Në Italinë që po plaket me shpejtësi, koalicioni populist i Salvinit dhe Lëvizja Pesë Yjet anuloi në vitin 2018 rritjen e kufirit të moshës së daljes në pension në 67 vjeç, e cila ishte zbatuar nga Fornero dhe Monti në vitin 2011. Që nga ajo kohë, qeveritë italiane kanë ndërhyrë në sistemin e pensioneve, ndonëse ai mbetet tejet i paqëndrueshëm.

“Lëre për më vonë!” është ajo që dikton dinakëria politike. Por Macron është shumë më ambicioz sesa kaq për vendin e tij. Por Franca e mbron “veçantinë” e saj me një intolerancë të njohur ndaj reformave, prirje për protesta si dhe drejt romantizimit të dhunës. Pjesërisht, pensionet janë vetëm një shkak. Konfliktet janë zhvendosur nga Parisi në qytetet më të vogla, që vuajnë nga rritja e kostos së jetesës dhe e çmimeve të karburanteve. Nga qytetet e lënë pas dore (bastionet elektorale të Le Pen) doli lëvizja e “Jelekë-verdhëve” në vitin 2018.

Paradoksi francez nuk është shkaku kryesor, por pozicioni i privilegjuar i Francës në trajtimin e tyre. Pasiguria e punës, edhe pse papunësia është në nivelin 7 për qind, më e ulëta në 15 vitet e fundit. Anti-globalizimi – Franca është kryesisht një vektor i autonomisë shtetërore dhe në përputhje me autonominë e BE-së për të zbutur efektet negative të globalizimit.

Pabarazia në të ardhura – edhe pse në Francë është ndër më të ulëtat në Evropë, dhe sistemi francez i arsimit dhe shëndetësisë është i lakmueshëm, Franca ka disa nga normat më të larta të shpenzimeve publike dhe sociale. Sa më e madhe të jetë kjo e fundit, aq më i ashpër është koalicioni që mobilizohet në mbrojtjen e tij.

Protesta është e drejtuar kundër “autoritarizmit” dhe “arrogancës” së presidentit Macron. Në versionin francez të anti-elitizmit, stereotipet e mësipërme alternohen me të kundërtat e tyre: kur presidenti nuk është autoritar dhe arrogant, ai është i dobët dhe i pavendosur. Pra në çdo rast është jo popullor.

Presidentët francezë nuk janë të dashur nga populli. Sapo zgjidhen në detyrë, ata janë të papëlqyer derisa të largohen. Shpeshherë, pakënaqësia ndaj “arrogancës” presidenciale është çmimi që paguhet për efektivitetin në qeverisje. Nëse Macron i nënshtrohet protestave, besueshmëria e tij do të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme, së bashku me rolin e tij udhëheqës në Evropë. Demonstratat e mëdha nuk janë vetëm një çlirim i tensionit social. Ato janë faktorë radikalizimi, pasi ofrojnë përvojë mbi protestat politike ekstreme dhe mbi përplasjet me policinë.

Melenchon kërkon që të zgjerojë dhe konsolidojë mbështetjen elektorale të partisë së tij duke i joshur shtresat më të gjera shoqërore në radikalizimin e tij në të majtë. Atë e ndihmon edhe sjellja brutale e policisë franceze ndaj protestuesve.

Panorama më e madhe e asaj që ndodh në Francë, duhet të përbëjë një shqetësim serioz për gjithë Evropën. Reformat e brendshme të Francës, lidhen zakonisht drejtpërdrejt me ndikimin e Francës në Evropë. Mitterrand miratoi dikur parimin e “frangës së fortë”, duke hequr dorë nga rritja e pagave për të nxitur rivalitetin ekonomik të Francës ndaj Gjermanisë.

Macron negocioi reformat e brendshme me Merkelin në këmbim të reformës së eurozonës. Gjermania nuk vazhdoi, por në rastin e Fondit të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës Macron pati fjalën e fundit. Interesat e Francës, edhe në versionin e tyre hegjemonist, identifikohen me një Evropë të fortë.

Hollande luftoi shumë për të parandaluar Grexit; Macron udhëhoqi përgjigjen e përbashkët të BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, pasi kishte ezauruar të gjitha përpjekjet diplomatike. Dhe sot Macron po ushtron presion për një politikë të përbashkët industriale dhe teknologjike të BE-së në mbrojtje kundër qasjes proteksioniste.

Nga mbrojtja e përbashkët e Evropës deri tek integrimi fiskal, politikat e Macron janë tërësisht në përputhje me aspiratat strategjike për një Evropë më të fortë, të cilat janë identike me ato të Greqisë. Për Evropën, Macron është Franca në variatin më të mirë të saj, por problemi i Macron është Franca.

Nëse Macron i nënshtrohet trysnisë së protestave, besueshmëria e tij do të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme, së bashku me rolin e tij udhëheqës në Evropë. Deri tani fituesja e madhe e tyre është Le Pen. Ajo po përfiton nga ato pa u identifikuar direkt me aktet vandale, dhe në zgjedhjet e 2027 ajo do të drejtojë frymën popullore kundër reformës.

Le Pen është politikania e dytë më e njohur në Francë, pas Macron. Ekstremizmi i majtë çon ujë në mullirin e Le Pen, së bashku me anti-evropianizmin dhe anulimin e daljes në pension në moshës 64 vjeçare. Nëse Le Pen do të arrijë të ketë sukses, pasojat për Evropën do të ishin shkatërrimtare. /albeu.com

Shëni:George Pagoulatos, profesor në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë, dhe profesor i jashtëm në Kolegjin Evropian në Bryzh.


Shtuar 8.04.2023 13:38