“Mbështesin rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE”, ambasadori gjerman: Deputetët e Kuvendit të paguhen në mënyrë dinjitoze

Ambasadori i Gjermanisë i akredituar në vendin tonë, Peter Zingraf, në një konferencë të mbajtur paraditen e sotme në lidhje me investimet gjermane në Shqipëri, u shpreh se, vendi që ai përfaqëson mbështet rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Zingraf bëri thirrje ndërkohë të gjitha kompanive gjermane që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.

“Gjermania do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fortë e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE. Ne mbështesim ardhjen e kompanive gjermane për të ardhur dhe për të investuar këtu në Shqipëri.”, u shpreh ndër të tjera ambasadori Zingraf.

Zingraf u ndal gjithashtu te deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të paguhen në mënyrë dinjitoze.

Mes të tjerash ai theksoi se e rëndësishme është dhe niveli i përgjithshëm i pagave.

“Pagesa e parlamentarëve është një çështje delikate me këto karakteristika. Kush i ruan ata që ruajnë? Deputetët janë ata që vendosin për buxhetin, ndaj nuk dua të përzihem më një pyetje të tillë. Mendoj se deputetët e parlamentit të paguhen në mënyrë dinjitoze, si çdo parlamentar, që duhet të kryejnë një punë të mirë. E rëndësishme ama është dhe niveli i përgjithshëm i pagave. Qeveria shqiptare planifikon që të rrisë pagat në sektorin publik. Kjo lidhet dhe me debatin e emigracionit. Shqipëria duke pasur parasysh dhe rajonin, ka nivelin e pagave më të ulta në rajon. Pyetja konkrete diskutohet në mënyrë kontroverse në shoqëri të ndryshme, por debati i rëndësishëm në shoqërinë shqiptare është se sa ndikojnë te shoqëria.”, tha ambasadori.