“I zhytyr në mjerim”, Alibeaj i përgjigjet Berishës: Të largohet nga politika, ka përçarë demokratët

Enkelejd Alibeaj ka akuzuar sërish , ish-kryeministrin, Sali Berisha, për përçarjen e demokratëve.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Alibeaj i ka kthyer përgjigje  Sali Berishës,  i cili deklaroi në konferencën e përjavshme me gazetarët, se është i gatshëm të diskutojë me këdo, “përveç dy personave.”

Alibeaj  e cilëson Berishën si humbës të zgjedhjeve të 14 majit, ndërsa thotë se me ligësinë e tij po mban peng një pjesë të demokratëve.

Sipas Alibeajt, Berisha duhet të largohet nga jeta politike dhe të heshtë.

Postimi i plotë i Alibeajt

Humbësi i zgjedhjeve të 14 majit ka vijuar dhe sot serinë e përsëritjes së justifikimeve bajate që nuk ja hanë më as kandidatët dhe as besnikët e tij. I zhytur në mjerimin e mungesës së shpresës dhe alternativës, Sali Berisha vijon serinë e shpalljes së armiqve me shpifjet e zakonshme dhe banalitetin konstant, për të gjjthë ata që mendojnë ndryshe nga ai. I dëshpëruar por i palodhur nga përpjekja për të përçarë PD, i rrënuar moralisht por i paepur në përpjekjen për të mbajtur peng një pjesë të demokratëve, me ligësinë e dikujt që koha dhe veprat ia kanë shkruar fundin e palavdishëm, ndaj Sali Berishës ka vetëm një zgjidhje: të largohet i braktisur dhe të heshtë duke marrë me vete edhe atë fije dinjiteti, nëse i ka mbetur. Kështu demokratët do të fitojnë mundësinë për të qenë alternativë e re për shqiptarët. Duke lënë pas të shkuarën dhe pa ngarkesat e korrupsionit familjar dhe të shpurës së tij, pesha e të cilave i shërbejnë veçse Ramës e të ngjashmëve të tij për ta mbajtur gjallë në politikë dhe që i kanë lënë demokratët në opozitë.

Dy ditë më parë u caktua data për zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike. Kryesia e Partisë Demokratike doli me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve për kreun partisë më 29 korrik. Kryesia ka vendosur afat deri më 20 qershor për dorëzimin e kandidaturave për kreun e ri të partisë, ndërsa pritet me interes nëse do të futet në garë edhe Lulzim Basha, i cili tashmë i është rikthyer politikës aktive.

Ndërkohë, Kryesia u ka lënë kandidatëve rreth 1 muaj kohë për fushatën për kreun e partisë dhe më pas do të mbahen zgjedhjet. Sa i takon Kuvendit Kombëtar, duhet të mbahet brenda muajit shtator, për të bërë edhe ndryshimet stautsore.

Kujtojmë se pak ditë pas humbjes në zgjedhjet e 14 majit, Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së dhe pozicioni i kreut të grupit parlamentar.
Pas dorëheqjes së tij, Alibeaj tha se partia duhet të riorganizohet për t’u ndarë nga Sali Berisha dhe për të ndërtuar aleancë me potencial për zgjedhjet e vitit 2025.

Si rrjedhojë, Gazment Bardhi u zgjodh kryetar i grupit parlamentar pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeaj. Sakaq largimi Alibeajt ka sjellë në dritë skenarin për rikthimin e Lulzim Bashës. Burime bëjnë me dije se Lulzim Basha do të zhvillojë sot një takim me të rinjtë e FRPD-së në një hotel në Tiranë. Ia vlen të theksojmë se Lulzim Basha nuk ka folur publikisht për një rikthim në PD. Mbetet për tu parë se si do procedohet me liderin e PD-së zyrtare./albeu.com/


Shtuar 9.06.2023 14:46