Evropa ka nevojë për një strategji të re ndaj regjimit të Iranit

Nga Cornelius Adebahr “Carnegie Europe

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në Iran viti i ri filloi ashtu siç mbaroi i vjetri:me ekzekutime me vdekje. 2023-ta premton të jetë edhe më i rëndësishme sesa viti që sapo lamë pas, dhe që tashmë i ka tronditur themelet e Republikës Islamike.

Ka ardhur koha që Evropa të ndryshojë kursin në kundërpërgjigje të rrethanave në terren.

Më 7 janar u ekzekutuan me varje në litar 2 burra, teksa gjyqet false i shpallën ata fajtorë për vrasjen e një anëtari të milicisë Basij gjatë protestave të zhvilluara në rrugët e Karaj, një qytet afër Teheranit, dy muaj më parë.

Mohammad Mehdi Karami dhe Mohammad Hosseini, përkatësisht një kampion i karatesë dhe një trajner vullnetar për fëmijë, pësuan të njëjtin fat si Mohsen Shekari dhe Majidreza Rahnavard, të cilët u varën në dhjetor 2022 për një akuzë të ngjashme.

Synimi i vrasjeve të tilla hakmarrëse nga ana e shtetit është i qartë:të frikësohen protestuesit, që të braktisin protestat dhe të vazhdojnë t’i nënshtrohen regjimit. Dhe ndërsa demonstratat aktuale janë zbehur disi për shkak të goditjes brutale të regjimit, koha nuk mund të kthehet më pas.

Mbetet e pasigurt nëse vendi do të përjetojë një ndryshimin pozitiv, për të cilin njerëzit janë ngritur në revoltë dhe madje kanë vdekur, apo nëse do të ketë akoma më shumë trazira.

Tre lajme gjatë ditëve të fundit ilustrojnë më së miri atë se çfarë ka ndryshuar tashmë në Iran, dhe pse kjo është e rëndësishme për Evropën dhe pjesën tjetër të botës.

Së pari, Udhëheqësi Suprem Iranit, Ali Khamenei, është cituar të ketë thënë se nuk duhet të ndëshkohen shumë ashpër gratë që nuk mbulohen siç duhet, sikurse e kërkojnë rregullat fetare dhe ligjet e Republikës Islamike.

Kjo qasje vetëm sa tregon se sa shumë janë larguar liderët e Iranit nga populli i tyre:pas 4 muaj revoltash të shkaktuar nga vrasja e Mahsa Jina Amini për atë që Khamenei tani do ta quante një “hixhab i dobët”, mungon ende një lëshim i vërtetë.

Ata që po protestojnë e kanë kaluar prej kohësh çështjen e kodit të veshjes dhe diskriminimin e përhapur të grave, për të kërkuar hapur respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Dhe këto nuk mund të arrihen përmes reformave të mohuara prej kohësh brenda Republikës Islamike, por vetëm përmes ndryshimit të sistemit.

Si për ta nënvizuar këtë gjë, Khamenei sapo ka emëruar si drejtues të policisë një tjetër personazh të linjës së ashpër, duke e lavdëruar komandantin në largim për shërbimin e tij 8-vjeçar.

Së dyti, ka dalë lajmi për një tjetër ekzekutim me vdekje, këtë herë të ish-zëvendësministrit të mbrojtjes, i akuzuar për spiunazh për llogari të MI6 (Shërbimi Sekret Informativ të Britanisë së Madhe). Ali Reza Akbari, i cili kishte shtetësi të dyfishtë britaniko-iraniane, ishte arrestuar që në vitin 2019, por u dënua vetëm ditët e fundit për spiunazh dhe u ekzekutua menjëherë.

Ndërsa duket ironike që regjimi po gllabëron edhe veten, verdikti i papritur mund të tregojë në fakt një luftë për pushtet brenda elitës. Disa persona brenda saj janë shprehur javët e fundit në favor të reformave më thelbësore për të adresuar ankesat e protestuesve.

Midis tyre është ish-kryetari i parlamentit Ali Larijani, pasardhësi i tij Mohammed Baqer Qalibaf dhe Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare Ali Shamkhani. Gjatë karrierës së tij, Akbari kishte lidhje të ngushta me të tre këta figura, ndaj disa analistë e shohin dënimin e tij kapital si një paralajmërim indirekt për këto figura të larta.

Së fundi, mbështetja e Iranit për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duket se do të hyjë në një fazë të re nëse konfirmohen raportet mbi planet për ndërtimin e një fabrike të dronëve në qytetin perëndimor rus Tolyatti. Ishte një siklet kur Shtetet e Bashkuara, në cilësinë e krye-zbatuesit të sanksioneve kundër Teheranit, mësuan se dronët sulmues iranianë që binin si shiu mbi qytetet e Ukrainës, janë prodhuar kryesisht nga komponentë të prodhuar nga kompanitë amerikane.

Pa një fund të luftës në horizont, edhe pse po i afrohet përvjetorit të saj parë, tetori i këtij viti kur përfundon embargoja e armëve e OKB-së kundër Iranit, ka nisur të shqetësojë jo pak politikë-bërësit në Perëndim.

Bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që miratoi marrëveshjen mbi programin bërthamor të vitit 2015, nga ai moment e tutje Teherani do të lejohet të eksportojë sërish raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi. Dhe Moska duket e vendosur të jetë klientja e parë e Iranit.

Në këtë kuptim, rezultati i luftës së brendshme në Iran, si dhe pozicionimi i regjimit në lidhje me Rusinë, mund të ketë pasoja serioze mbi konfliktin në Ukrainë. A do të ushtrohet presion ndaj Perëndimit për të mbështetur Kievin me tanke luftarake, për të arritur një rezultat të favorshëm përpara se të përfundojë embargoja e OKB-së?

A do të përpiqet Perëndimi të bindë ukrainasit të arrijnë një armëpushim me rusët deri në verë, për të shmangur një përshkallëzim të tillë? Apo Izraeli me qeverinë e tij të re të së djathtës ekstreme, dhe i fiksuar për mbajtjen nën kontroll të Iranit, do të arrijë më në fund ta mbështesë Ukrainën me sistemin e saj të çmuar të mbrojtjes, Kupolën e Hekurt?

Zhvillimet janë të tilla – si brenda regjimit, ashtu edhe në marrëdhëniet e tij me partnerët ndërkombëtarë – sa që kanë krijuar terrenin për një konfrontim më të gjerë të Evropës me Iranin këtë vit.

Ato vetëm sa po i forcojnë përparimet e qëndrueshme, por të fshehta të Iranit në pasurimin e uraniumit, të cilat përbëjnë një rrezik të madh të përhapjes së armëve bërthamore, të cilën Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike është gjithnjë e më pak në gjendje që ta monitorojë.

Në një kohë kur raportimi mbi revoltën është larguar nga titujt kryesorë të medias botërore, dhe madje edhe ekzekutimet me vdekje shkaktojnë vetëm një zemërim momental në mbarë globin, do të jetë e rëndësishme të shihet trajektorja e rrymave të tilla që lëvizin nën sipërfaqe.

Pas vitesh përqendrimi kryesisht tek kërcënimi bërthamor që buron nga Irani, dhe së fundi pas muaj të tërë përpjekjesh dëshpëruese për të reaguar ndaj guximit të atyre që protestojnë për “gratë, jetën, lirinë” dhe reagimin brutal të regjimit, BE-ja duhet më në fund të dalë me një qasje të re gjithëpërfshirëse ndaj Iranit dhe rajonit. Në Iran gjërat mund të marrin për mirë apo për keq.

E vetmja gjë e sigurt është se nuk ka për të funksionuar strategjia e djeshme e Evropës ndaj Teheranit. /albeu.com


Shtuar 18.01.2023 21:09

Tags: