Kaq ka qenë dalja e votuesve në diasporë
Dalja më e madhe deri në orën 18:30 ka qenë në përfaqësitë diplomatike konsullore në Berlin (64.47%), Bukuresht (64.29%), Zagreb (61.11%), Sarajevë (61.70%) dhe Hagë (60%). Dalje më të vogël gjatë votimit të sotëm për zgjedhjet e gjashta presidenciale të Maqedonisë së Veriut deri në orën 18:30 është regjistruar në Venedik (26.55%), Kopenhagë (30.77%), Abu Dabi (30%), njofton Portalb.mk.

Dalja e përgjithshme jashtë vendit deri në orën 18:30 është 38.51%, gjegjësisht kanë votuar 686 votues, ndërkaq në të nuk kanë qenë të kyçura gjashtë vendvotime në SHBA dhe Kanada. Ato janë ende të hapura dhe votimi atje do të zhvillohet deri në orën 19:00 sipas orës lokale.

Në mesnatë përfundoi fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe për zgjedhjet e parakohshme lokale që do të mbahen në komunat e Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës dhe fillon heshtja zgjedhore.

Sot, një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e votës kanë mundur ta realizojnë 1.640 persona në burgjet e vendit dhe persona që janë në arrest, shtatë persona të shpërngulur brenda vendit, si dhe 3.583 persona të sëmurë dhe të moshuar të cilët këtë e kanë kërkuar nga komisionet komunale zgjedhore.

Në 3.480 vendvotime në Republikë dhe në 32 jashtë vendit në zgjedhjet e gjashta presidenciale mund të votojnë 1.808.131 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore.

1.726.795 votues janë të regjistruar në ekstraktet nga lista zgjedhore, 77.579 votues janë në punë të përkohshme ose rezident jashtë vendit, 1.640 janë duke vuajtur dënimin ose janë në paraburgim dhe shtatë zgjedhës janë të regjistruar si persona të zhvendosur brenda vendit. Në ekstraktin special të listës së zgjedhësve janë regjistruar 1,781 votues që kanë paraqitur një kërkesë në Përfaqësitë Diplomatike-Konsullore jashtë vendit.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 5 maj.
Shtuar më 20/04/2019, ora 23:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori