Lojtarët afgane të kriketit po fshihen nëpër Kabul prej talebanëve

Asel dhe shumë prej shoqeve të saj të skuadrës ndërkombëtare janë të fshehura. Asel nuk është emri i saj i vërtetë. Në Kabul, anëtarët e talebanëve janë duke e kërkuar ekipin e kriketit të femrave në Afganistan.

“Çdo femër që luan kriket ose sporte të tjera, nuk është e sigurt tani. Situata është shumë e keqe në Kabul”, thotë ajo. “Ne kemi një grup në ‘WhatsApp’ dhe çdo natë ne po flasim për problemet tona dhe ndajmë planet për atë që duhet të bëjmë. Ne të gjitha jemi të pashpresë”.

Asel mezi ka dalë jashtë shtëpisë së saj që kur talebanët hynë në Kabul në mes të gushtit dhe e ka hedhur çantën e saj të kriketit. Ajo shpjegon sesi njëra nga shoqet e saj të skuadrës ishte shënjestër në qytet.

“Në fshatin ku ato luajnë kriket, disa njerëz që i njihnin ato, tani po punojnë me talebanët. Kur talebanët erdhën këtu dhe e morën Kabulin, ata i kërcënuan me vrasje nëse do të tentonin të luanin sërish krikët”, tregoi Asel.

Taqwa, e cila gjithashtu përdor një pseudonim, ishte përfshirë në kriketin e femrave afgane për shumë vjet. Ajo arriti të ikte nga vendi pasi Kabuli ra. Një javë para se të dilte jashtë, ajo u zhvendos nga shtëpia në shtëpi për të mos u zbuluar. Talibanët thirrën babanë e saj, por ai tha se nuk kishte qenë në kontakt me të.

“Unë nuk dua të mendoj për atë që do të kishte ndodhur. Kur talebanët erdhën në Kabul, për një javë nuk hëngra asgjë, nuk fjeta. Unë nuk po mendoja vetëm për veten time, po shqetësohesha për vajzat tjera. Ata po sakrifikojnë jetën e tyre, studimet e tyre. Disa, madje, nuk u martuan që të mund të luanin për Afganistanin. Unë jam shumë i shqetësuar për jetën e tyre”.

Për një ish-lojtare tjetër, Hareer, e cila përdor një emër të supozuar, të luante kriket si një femër afgane do të thoshte shumë më tepër sesa thjesht të merrte pikë dhe të shënonte vrapime në këtë sport.

“Kur luaj ndihem si një femër e fortë. Ndihem e sigurt dhe ndihem krenare për veten time. Unë mund ta imagjinoj veten si një femër që mund të bëjë gjithçka, që mund t’i bëjë ëndrrat e saj realitet”, thotë ajo.

Por, për Hareer dhe pjesën tjetër të ekipit të kriketit të femrave në Afganistan, këto ëndrra mund të kenë marrë fund tashmë. Kur vetëm një vit më parë dukej se kishte aq shumë shpresë, tani ato kanë frikë për sigurinë e tyre dhe ndihen të braktisura nga autoritetet sportive që ato besojnë se mund të ndihmojnë.

Ngritja e kriketit dukej si një përrallë në Afganistan. Vendit iu dha anëtarësimi filial vetëm nga Këshilli Ndërkombëtar i Kriketit (ICC) në vitin 2001, vetëm një vit pasi talebanët hoqën ndalimin e këtij sporti. Kur talebanët u përmbysën menjëherë pas kësaj, kriketi filloi të lulëzojë, së bashku me sportet e tjera si futbolli.

“Nëse shikojmë 20 vjetët e fundit, ne kishim luftë, sulme vetëvrasëse, kishim kaq shumë probleme, por i vetmi rast kur i gjithë kombi ishte i lumtur, ata ishin të përfshirë emocionalisht, ishte gjatë sportit”, tha njëra prej lojtareve të kriketit. “Vetëm sporti dha një kohë ose një vend ku njerëzit ishin të lumtur dhe ata mund të harronin pjesën tjetër të asaj që po ndodhte rreth tyre”.

Fanatizmi i kriketit në Afganistan u rrit gjatë viteve 2000, ndërsa ekipi i meshkujve filloi një ngritje meteorike në skenën botërore. Kur ata u kualifikuan për Kupën e Botës në vitin 2015 në Australi, festimet në rrugë shpërthyen në të gjithë vendin. Lojtarët si Rashid Khan dhe Mohammad Nabi, tani janë yje ndërkombëtarë dhe adhurohen në të gjithë vendin. Ekipi i parë kombëtar i femrave në Afganistan u formua në vitin 2010. Ato u përballën me rezistencë që në fillim. Në vitet e para, Bordi i Kriketit në Afganistan (ACB) parandaloi ekipin e femrave të luante në disa turne ndërkombëtarë, duke thënë se mori “kërcënime talebane”. Në vitin 2012 ekipi udhëtoi për një turne rajonal me gjashtë ekipe në Taxhikistan, dhe ato e fituan atë. Por, dy vjet më vonë, ekipi u shua. ACB-ja, përsëri fajësoi vendimin për kërcënimet e talebanëve. Pavarësisht shpërbërjes së ekipit, vajzat dhe femrat vazhduan të luanin në porta të improvizuara në të gjithë Afganistanin. Dhe, ACB-ja kishte ende një numër të vogël të stafit përgjegjës për rregullimin e ndeshjeve të femrave. Por, të njëjtat probleme vazhduan për këtë gjeneratë të re të femrave të kriketit. Hareer thotë se, brenda ACB-së, shumë nuk ishin mbështetës dhe do të organizonin ndeshje për femrat nëse “i luteshin ta bënin atë”. Anëtarët e bordit, gjithashtu, do të mësonin femrat se si të silleshin kur ishin jashtë fushës, thotë ajo.

“Unë jam një gjuajtëse dhe kur marr një portë nuk mund të bërtas dhe të sillem sikur jam e lumtur sepse ka burra që më shikojnë”, thotë ajo. “Unë duhet t’i kontrolloj emocionet e mia, nuk mund të bërtas për të mbështetur shoqet e mia të skuadrës. Ata thonë se ne nuk duhet të festojmë apo bërtasim”.

Por, ndërsa profili i ekipit të meshkujve u rrit, ACB-ja duhej të merrte më seriozisht lojën e femrave. ICC-ja kërkon që 12 anëtarët e saj të plotë – Afganistani u bë një në vitin 2017 – të kenë një ekip kombëtar të femrave. Kjo çoi në dhënien e kontratave për 25 femra të këtij sporti në nëntor të vitit 2020. Vetëm 10 muaj më parë, një agim i ri dukej se ishte në horizont për kriketin e femrave në Afganistan. Kjo shpresë duket se ishte jetëshkurtër. Gjatë sundimit të tyre të mëparshëm, nga viti 1996 deri më 2001, talebanët ndaluan pothuajse të gjithë arsimin për vajzat dhe gratë (vajzat nuk u lejuan të ndiqnin shkollën pas moshës 8 vjeçe), ndërsa gratë nuk ishin në gjendje të punonin ose të dilnin nga shtëpia pa u shoqëruar nga një i afërm mashkull. Ndërsa talebanët kanë bërë përpjekje për të portretizuar një imazh më të moderuar këtë herë, shanset që gratë të jenë në gjendje të marrin pjesë në sport janë të pakta. Shefi ekzekutiv i ACB-së, Hamid Shinwari, ka thënë se talebanët kanë shprehur mbështetje për ekipin e meshkujve, të cilët tani kanë miratimin për të luajtur kundër Australisë në Hobart në nëntor. Por, ai i tha se pret që ekipi i femrave të ndalet dhe shuhet. Kjo do të shkelte anëtarësinë e Afganistanit në ICC.

Femrat e Afganistanit që luajnë kriket, shpresojnë të shpëtojnë nga sundimi i talebanëve si 50 sportistet femra që u evakuuan nga Qeveria australiane në muajin gusht. Organi drejtues botëror i futbollit – FIFA, ka thënë se po “negocion evakuimin kompleks” të futbollisteve dhe sportisteve të tjera nga Afganistani.

“Ne jemi, siç do të prisnit, në kontakt të ngushtë me Bordin e Kriketit në Afganistan, ne po monitorojmë situatën dhe kemi ofruar mbështetjen tonë”, thuhet në përgjigjen i ICC-së.

Por, Taqwa thotë se ICC-ja nuk ka qenë në kontakt direkt me femrat që luajnë kriket dhe se ACB-ja ka treguar pak interes për mirëqenien e tyre.

“ICC-ja nuk na ndihmon kurrë, ata gjithmonë na zhgënjejnë. ICC-ja po bisedon me ata njerëz që janë kundër kriketit të femrave, si kryetari i ri i ACB-së”, shton ajo, duke iu referuar Azizullah Fazlit, i cili u emërua pas marrjes nën kontroll të talebanëve.

Pavarësisht, situatës në të cilën ato gjenden, Asel ende beson se ekipi mund të mblidhet përsëri. Hareer vjen në jetë kur flet për ëndrrat e saj për një të ardhme më të mirë.

“Unë dua të jem një lojtare ndërkombëtare e kriketit”, thotë ajo. “Unë dua të jem një femër e fortë afgane që mund ta ndryshojë jetën e njerëzve të tjerë. Unë dua të jem një model për gratë dhe vajzat e tjera afgane. Unë dua të ndryshoj të paktën disa mendje të burrave në Afganistan. Unë dua të jem krenare për veten time dhe kjo është e gjitha”.

Ndërsa, Asel shton: “Në kulturën afgane, ka pengesa që ndikojnë në sportin e femrave. Ata thonë se femrat janë të dobëta dhe nuk janë krijuar për të luajtur kriket. Situata është e keqe për ne. Ne nuk do të heqim dorë nga ëndrrat tona”.


Shtuar 3.09.2021 16:17