Bllokohen 20 mjete lundruese në Vlorë dhe Durrës, mes tyre dhe skafi që mbeti në mes të detit në Kepin e Rodonit (VIDEO)

Policia ka bllokuar 20 mjete lundruese në Vlorë dhe Durrës, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Mes mjeteve të bllokuara, drejtuesit e të cilëve janë gjobitur, është dhe skafi në kepin e Rodonit, pasi drejtuesi i tij kishte marrë në bord 12 shtetas (familjarë të njëri-tjetrit, 6 prej tyre shtetas të mitur), në tejkalim të kapacitetit mbajtës të këtij mjeti lundrues.

Për shkak të kësaj paligjshmërie, 13 shtetasve iu rrezikua seriozisht jeta. Policia Kufitare iu shkoi në ndihmë këtyre 13 shtetasve, përmes një operacioni shpëtimi që zgjati deri në mesnatën e datës 10 korrik.

Njoftimi i policisë:

Departamenti i Policisë Kufitare

Në të gjithë hapësirën ujore të vendit, grupe kontrolli nga Policia Kufitare dhe nga Njësia Policore Detare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Nga porti i Durrësit-në Vlorë, janë bllokuar 20 mjete të tjera lundruese, prej tyre 16 nga DVKM Vlorë dhe 4 nga DVKM Durrës.

Mjetet e bllokuara: 10 Jet Ski, 7 skafë dhe 3 gomone.

Shkeljet e konstatuara: lundrim/bregëzim jashtë zonës së përcaktuar, tejkalim i kapacitetit të mbajtjes së personave në bord, mosregjistrim i pronësisë mbi mjetin lundrues dhe mungesë dokumentacioni.

Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000-100 000 lekë të rinj.

Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore në të gjithë vendin, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, shërbimet e Departamentit të Policisë Kufitare kanë bllokuar 20 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.

1.Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Vlorës u bllokuan:

-2 Jet Ski, pasi lundronin jashtë zonës së përcaktuar për këtë aktivitet dhe për pasojë përbënin rrezik për pushuesit. Drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masë administrative 100 000 lekë të rinj secili.

-1 skaf me 2 motorë, pasi ishte bregëzuar jashtë zonës së përcaktuar. Drejtuesit i tij u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë të rinj.

-1 skaf, pasi kishte në bord, numër pasagjerësh në tejkalim të kapacitetit mbajtës, duke iu rrezikuar jetën këtyre shtetasve. Drejtuesi i skafit u ndëshkua me masë administrative 30 000 lekë të rinj.

-7 Jet Ski, 3 gomone dhe 2 skafë, pasi drejtuesit e tyre ishin të papajisur me dokumentacionin e nevojshëm për lundrim. Këta shtetas u ndëshkuan me masë administrative 10 000 lekë të rinj secili.

2.Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Durrësit u bllokuan:

-1 skaf në kepin e Rodonit, pasi drejtuesi i tij kishte marrë në bord 12 shtetas (familjarë të njëri-tjetrit, 6 prej tyre shtetas të mitur), në tejkalim të kapacitetit mbajtës të këtij mjeti lundrues. Për shkak të kësaj paligjshmërie, 13 shtetasve iu rrezikua seriozisht jeta. Policia Kufitare iu shkoi në ndihmë këtyre 13 shtetasve, përmes një operacioni shpëtimi që zgjati deri në mesnatën e datës 10 korrik. Drejtuesi i këtij skafi u ndëshkua me masë administrative 40 000 lekë të rinj.

-1 skaf, pasi lundronte jashtë zonës së përcaktuar për këtë aktivitet dhe për pasojë përbënte rrezik për pushuesit. Drejtuesi i tij u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë të rinj.

-1 skaf, pasi pronari i tij nuk kishte regjistruar pronësinë mbi këtë mjet lundrues, sipas detyrimeve ligjore. Ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 20 000 lekë të rinj.

-1 Jet Ski, pasi drejtuesi i tij nuk ishte pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për lundrim. Ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj.

 

?Monitorimi i vijës bregdetare dhe i hapësirës ujore në të gjithë vendin, vijon.


Shtuar 15.07.2023 12:34