Francezët kundër reformës së pensioneve, protestë në Ditën e Punëtorëve

Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë në Francë të hënën, në Ditën e Punëtorëve, për të protestuar sërish kundër reformës së sistemit të pensioneve, e cila u krye nga qeveria e presidentit Emmanuel Macron.

Demonstratat u mbajtën që në mëngjes në shumë qytete të mëdha dhe më të vogla. Sindikatat kishin organizuar më shumë se 300 mitingje.

Në të gjithë vendin, autoritetet prisnin midis 500,000 dhe 650,000 protestues. Vetëm në Paris priten 100,000 demonstrues. Numra dukshëm më të vegjël se demonstratat e muajve të kaluar, por jo të papërfillshëm.

Sindikatat kishin shprehur shpresën se më shumë se 1 milion njerëz do të demonstronin sot në qytetet franceze. Vitet e fundit, demonstratat e 1 Majit në Francë kanë tërhequr nga 100,000 deri në 160,000 njerëz.

Qeveria Macron e konsideron të mbyllur reformën e pensioneve, në të cilën mosha e daljes në pension u rrit në 64 nga 62. Megjithatë sindikatat dhe disa anëtarë të opozitës nuk kanë hequr dorë nga lufta dhe duan të pengojnë zbatimin e projektligjit nga 1 shtatori.

Greva u shpallën gjatë gjithë festës treditore në Francë dhe trafiku ajror u ndërpre. Policia ishte përgatitur për trazira gjatë protestave, por në mesditë situata ishte kryesisht e qetë.

Laurent Berger, kreu i sindikatës reformiste CFDT, tha se qeveria e Macron po bënte një vesh të shurdhër ndaj kërkesave të një lëvizjeje që ishte një nga më të fortat e saj në dekada. Megjithatë, ai shtoi dje, të dielën, se kjo nuk do të thotë se bisedimet me qeverinë kanë përfunduar.

Pyetja tani është nëse protestat e 1 Majit do të jenë tubimet e fundit të mëdha kundër reformës së pensioneve. Numri i protestuesve po zvogëlohet dhe, sipas Agjencisë Gjermane, ka edhe shenja të përçarjes në frontin e përbashkët të sindikatës. /albeu.com


Shtuar 1.05.2023 16:21