Amerika dhe Perëndimi të hutuar nga zhvillimet e brendshme, komploti i Xi Jinping për të dominuar botën po ia del mbanë në heshtje

Nga Douglas Murray “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ndonjëherë nuk është e mundur të vërehen ndryshimet e mëdha. Në raste të tjera kjo është tejet e mundur, dhe kushdo që ka këmbët në tokë mund të ndiejë lëvizjet e terrenit. Po kështu po ndodh për momentin me ngritjen e Kinës dhe rënien e Amerikës. Merrni pak parasysh ngjarjet e javëve të fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përqendruara vetëm në një histori: akuza ndaj një ish-presidenti, e përgatitur nga një prokuror ambicioz i krahut të majtë, që dëshiron të bëjë emër duke e futur në burg Donald Trump. Në Manhatan dhe Palm Beach, media ka paguar helikopterë që fluturojnë pa reshtur mbi rezidencën e tij për të filmuar çdo lëvizje të ish-presidentit.

Rrugët kanë qenë të mbushura me fotografë që përpiqen të kapin gjithçka që mund të ndodhë. Gjatë gjithë kohës, qytetet e Amerikës – nga Nju Jorku në San Francisko – po degradojnë nga qendra në periferi, teksa ligjvënës të majtë lejojnë vjedhjen dhe madje krimin e dhunshëm në shkallë të atillë që nuk ka ekzistuar në kujtesën e gjallë.

Kjo kryesohet nga një president që të gjithë mund ta shohin se është gjysmë i fjetur në punë, dhe një zv/presidente që nuk është në lartësinë e situatës. Ndërkohë, Partia Komuniste Kineze ka planet e veta. Në javët e fundit, Xi Jingping shkoi në Lindjen e Mesme për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis sauditëve dhe iranianëve.

Ndarja e madhe në Lindjen e Mesme midis bllokut sunit, i dominuar nga Arabia Saudite, dhe bllokut shiit, të udhëhequr nga Irani, u duk papritmas se po ngushtohej. Unë nuk jam edhe kaq optimist për këtë, edhe pse të dërguarit e Arabisë Saudite dhe Iranit u takuan sërish këtë javë në Pekin.

Megjithatë, thelbi i problemit nuk qëndron tek qëndrueshmëria e marrëveshjes midis tyre. Çështja kryesore është se Pekini po merr rolin që luante dikur Uashingtoni në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të tillë. E njëjta gjë ndodhi në fund të muajit të kaluar, kur Xi u shfaq në Moskë për të paraqitur planin kinez për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Ajo do t’i jepte mundësi Rusisë të ruante territoret që ka arritur të pushtojë deri tani në Ukrainë. Pra nuk është një plan i mirë, ndaj amerikanët e hodhën poshtë menjëherë. Por problemi është se ishin sërish kinezët ata që po morën iniciativën, duke parakaluar nëpër skenën botërore, duke negociuar folur duke u paraqitur si mbrojtës të sistemit ndërkombëtar.

Prandaj, ishte e pashmangshme që udhëheqës të tjerë botërorë të vizitonin oborrin e perandorit të ri, duke e trajtuar në mënyrën që ai tani pret që të trajtohet. Presidenti francez Emmanuel Macron ishte javën e kaluar në Pekin për të vlerësuar rolin e Xi. Dikur një president francez që donte merita për ndalimin e një lufte si ajo në Ukrainë, do të kishte shkuar në Uashington për bisedime kuptimplota.

Sot presidenti francez shkon në Kinë për gjëra të pakuptimta. Pas një sërë dhuratash që do të kishin vënë në siklet edhe një pushtetar mesjetar, Macron njoftoi në konferencën e tyre të përbashkët për shtyp se ai e dinte se mund të mbështetej te Xi për ta ulur Moskën në tryezën e bisedimeve.

Nga ana e tij, një Xi me pamje të ngrysur në fytyrë deklaroi se “Kina është e gatshme t’i bëjë thirrje bashkërisht me Francën komunitetit ndërkombëtar që të mbetet racional dhe i qetë”. Natyrisht “konferenca për shtyp” nuk pati pyetje nga asnjë media. Tek e fundit miku duhet të respektojë zakonet e vendit ku ka bujtur, dhe zakoni i komunistëve në Kinë është që shtypi të shkruajë atë që u thotë qeveria.

Çfarë nevoje ka media të bëjë pyetje mbi sistemin monopartiak të Kinës? Kjo për të përmendur zhvillimet e diplomacisë ndërkombëtare. Por e njëjta gjë për shumë shumëçka. Ndërsa ne në Britani po diskutojmë për gjëra të tilla si nëse një grua mund të lejohet të ndryshojë apo jo gjini, apo sa “racistë” jemi, politikanët dhe të dërguarit kryesorë të Kinës po udhëtojnë nëpër botë duke arritur shumë marrëveshje tregtare.

Që kur Pekini u lejua të bëhej pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë në 2001 – një vendim që tashmë duket jo i mençur – ai ka përdorur fuqinë e tij financiare për të shfrytëzuar njëkohësisht rregullat dhe për t’i shkelur ato. Sot, kinezët nuk e fshehin dëshirën e tyre për të siguruar dominimin ekonomik të Kinës në shekullin XXI1-të.

Kinezë nuk e fshehin më dëshirën e tyre për të lënë pas vetes sistemin financiar të dominuar nga dollari amerikan. Javën e kaluar u njoftua një marrëveshje e re midis Kinës dhe Brazilit. Marrëveshja anashkalon plotësisht dollarin amerikan, që dikur ishte standardi për negociata të tilla.

Brazili dhe Kina thanë se marrëveshja parashikon që juani kinez të shkëmbehet drejtpërdrejt me realin brazilian, pa pasur nevojë të konvertohet në dollarë amerikanë. Agjencia e Promovimit të Tregtisë dhe Investimeve të Brazilit (ApexBrasil) njoftoi se kjo do të “ulte kostot” dhe do të nxiste tregtinë dhe investime dypalëshe midis dy vendeve.

Ky ishte zhargoni zyrtar. Mesazhi i nënkuptuar ishte: dhe ne nuk kemi nevojë për Amerikën apo monedhën e saj. Dhe në shumë aspekte, kjo nuk është për t’u habitur. Sepse qeveritë e njëpasnjëshme amerikane – të të dyja partive të mëdha – kanë bërë shumë në dekadat e fundit për të zvogëluar pozitën e dollarit amerikan.

Gjatë presidencës së fundit, kjo ndodhi kryesisht si rezultat i pandemisë së Covid-19, kur qeveria filloi të shpërndante çeqe për të ndihmuar familjet dhe bizneset amerikane. Kina i dha botës virusin, dhe shkaktoi mbylljen e ekonomive amerikane dhe globale.

Dhe ndërsa ne e shpërqendrojmë veten me grindje qesharake mbi paudhësitë e supozuara të gjithçkaje në të kaluarën tonë, Kina po vazhdon të punojë për të ardhmen e saj. Ndërsa institucionet tona përkulen për të qenë sa më “të larmishme”, institucionet e Kinës përpiqen të bëhen sa më dominante.

Nga rritja e kompanive kineze tek sjellja gjithnjë e më agresive e Kinës ndaj Tajvanit, Pekini është i vendosur në axhendën e tij, ndërsa Perëndimi po lëkundet. Për shembull, në botën e teknologjisë ka qenë prej vitesh e qartë që platforma TikTok, një kompani kineze, është shumë e dyshimtë.

Në fakt, ajo është akuzuar prej kohësh për mbledhjen e të dhënave . Platforma ka mahnitur fëmijët dhe adoleshentët në Britani dhe Amerikë, por nuk është lejuar të shqetësojë të rinjtë e Kinës. Ndërsa fëmijët tanë – dhe disa të rritur – janë të fiksuar pas saj, ata duket se nuk e kanë kuptuar se nuk po përdorin një produkt.

Ata janë vetë produkti. Më saktë informacionet e tyre personale. Dhe çfarë po bëjmë ne për këtë? Bëjmë diskutime të pafundme nga Londra në Uashington se si ta trajtojmë teknologjinë kineze, që tashmë mund të ketë bërë punën e saj në kompromentimin e pozitës tonë. Dhe ndërkohë e majta shqetësohet se edhe ngritja e këtij problemi mund të jetë “raciste”.

Në mendje më vjen imazhi i Neronit që i binte lirës ndërsa Roma digjej. Por ajo që kanë bërë udhëheqësit tanë është më e keqe se kaq.

Shoqëritë tona – por edhe qeveritë – janë marrë me vogëlsira – sulmet ndaj TikTok, vizita e Macron në Pekin – në një kohë që Partia Komuniste Kineze po zhvendoset poshtë këmbëve tona. Pra gjërat që tani kanë lejuar, inkurajuar dhe nga të cilat janë shpërqendruar udhëheqësit tanë në 20 vitet e fundit e bëjnë Perandorin Neron të duket si një model përgjegjësie. /albeu.com


Shtuar 10.04.2023 15:25