Grezda prezantohet te Partizani me fanellat e reja, ja sa do të përfitojë sulmuesi te të kuqtë

Eros Grezda është zyrtarisht lojtari më i ri i Partizanit. Sulmuesi, i cili stërvitet prej disa ditësh me Partizanin, është prezantuar pasditen e djeshme, me klubin, që ka njoftuar lajmin në rrjetet sociale.

Vlen për t’u theksuar fakti se Grezda ka firmosur një kontratë 1-vjeçare, e cila mund të rinovohet automatikisht nga klubi edhe për një sezon tjetër, në varësi të paraqitjeve të sulmuesit. Gjithsesi, në këtë rast rroga do të pësonte një rritje të ndjeshme.

“Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me Eros Grezdën. Ish-sulmuesi i ekipit tonë kombëtar është zyrtarisht pjesë e kampionëve të Shqipërisë. 28- vjeçari ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare me të kuqtë, me të drejtë rinovimi nga ana e klubit edhe për një tjetër sezon. Përgjatë karrierës së tij, Grezda është aktivizuar në radhët e Lokomotiva Zagreb, Osijek, Rejnxhers, Shibenik, Manisa dhe Zalaegerszeg. Me ekipin tonë përfaqësues sulmuesi regjistron 13 prezenca dhe 1 gol”, shkruan klubi i kuq në postim, përbri fotos së Grezdës, që ka firmosur kontratën e re në prani të drejtorit sportiv, Arbër Abilaliaj.

Trajneri Zoran Zekiç ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë mision, për shkak se kjo dyshe kanë shkëlqyer së bashku në sezonin 2017-2018 tek Osijeku në Kroaci.

Sipas  “Panorama Sport”,  paga e Grezdës do të jetë rreth 6 mijë euro në muaj, teksa mund të pësojë rritje në varësi të paraqitjeve të sulmuesit.

Grezda vjen të Partizani për t’u ringjitur, pas dy sezonesh të vështira, të karakterizuara më së shumti nga dëmtimet. Ish-sulmuesi i Kombëtares ka provuar të luajë në skuadrën gjigante dhe me eksperiencën e tij, është një vlerë tejet e shtuar, veçanërisht për ndeshjet europiane.

E vetmja gjë, që vihet në dyshim në lidhje me Grezdën, është gjendja e tij fizike. Sa u përket cilësive, e kemi parë te Kombëtarja, por edhe në ekipet ku ka luajtur, që kemi të bëjmë me një lojtar “luksi” për Superioren.

Bashkë me Grezdën, klubi indirekt ka prezantuar edhe fanellat e reja, që këtë herë kanë shmangur të bardhën, duke u kthyer tërësisht te klasikja.


Shtuar 24.06.2023 08:45