Takimi Kurti-Vuçiç do të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut, pse u zgjodh Ohri? Sherifi: Për një kapitull të ri për Ballkanin

Propozimi franko-gjerman, dhe takimi mes Kurtit dhe Vuçic në Ohër, ishin pikat që u diskutuan në emisionin “Log.” të gazetarit Endri Xhafo, mbrëmjen e së enjtes.

I pyetur nga moderatori Xhafo, se përse u zgjodh Maqedonia e Veriut dhe Ohri si vend për takimin e radhës me kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar mbi planin franko-gjerman, pedagogu dhe themeluesi i AlbEu.com, Idaver Sherifi, u shpreh se ky është një kapitull i ri për Ballkanin.

Sherifi theksoi se Maqedonia e Veriut është zgjedhur si pikë asnjëanëse, duke shtuar se caktimi i Ohrit m pas si qytet, ka një domethënie historike.

Ai tha se pikërisht marrëveshja e nënshkruar në Ohër vite më parë i dha fund konfliktit të armatosur, prandaj një takim i tillë atje apo një nënshkrim marrëveshjeje mes palëve do të thoshte një kapitull i ri për Ballkanin.

Maqedonia e Veriut është asnjëanëse, ndërsa Ohri është qyteti historik. Kujtojmë që marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni. Pra është zgjedhur Ohri si për të hapur një kapitull të ri për Ballkanin”, theksoi themeluesi i AlbEu.com, Idaver Sherifi.