Nga George Soros: Ngrohja globale, luftërat e nxehta, shoqëritë e mbyllura

Nga George Soros “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

E kam kaluar gjithë jetën time duke u përpjekur ta kuptoj botën në të cilën kam lindur, dhe mund të pretendoj se kam arritur një sukses modest. Që në një moshë relativisht të hershme,  e kuptova se kuptimi ynë mbi botën është në thelb i papërsosur. Kjo sepse ne jemi pjesë e botës në të cilën jetojmë.

Ne jemi edhe pjesëmarrës por edhe vëzhgues. Si pjesëmarrës, duam të ndryshojmë botën në favorin tonë. Si vëzhgues, duam ta kuptojmë realitetin ashtu siç është. Këto dy objektiva ndërhyjnë ndaj njëri-tjetrit. Por kjo nuk prek të gjitha fushat e realitetit në mënyrë të barabartë.

Për shembull, astronomët mund t’i afrohen njohurive të përsosura, sepse ata kanë një kriter objektiv, si lëvizja e yjeve, që i jep mundësi të gjykojnë nëse parashikimet e tyre janë të sakta. Ndërkohë sociologët socialë nuk e kanë aq të lehtë. Sepse sjellja e njerëzve pasqyron tashmë të kuptuarit e tyre të papërsosur mbi botën.

Atëherë si mund ta kuptojmë gjendjen aktuale të punëve? Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të dalluar atë që është e rëndësishme nga ajo që është më pak e rëndësishme. Le ta nisim me një pohim të guximshëm. Ndërsa dy sisteme të qeverisjes janë të angazhuar në një luftë për dominim global, qytetërimi ynë është në rrezik kolapsi, për shkak të përparimit të paepur të ndryshimeve klimatike.

Unë kam qenë gjithmonë i magjepsur nga shtresa e akullit të Grenlandës, e cila është disa kilometra e trashë dhe është ndërtuar gjatë mijëra viteve. Korrikun e vitit të kaluar atje ndodhi një ngjarje ekstreme e motit. Ishte aq ngrohtë saqë shkencëtarët që punojnë atje mund të luanin volejboll me këmisha me mëngë të shkurtra dhe pantallona të shkurtra.

Shkrirja e plotë e shtresës së akullit të Grenlandës, do të rriste me 7 metra nivelin e oqeaneve. Dhe kjo përbën një kërcënim për mbijetesën e qytetërimit tonë. Nuk isha i gatshëm që ta pranoja atë fat, ndaj u përpoqa të zbuloja nëse mund të bëhej diçka për ta shmangur atë. Kontaktova me David King, një shkencëtar i klimës, që ka qenë këshilltar kryesor shkencor i qeverive të mëparshme britanike. King ka një plan për të riparuar sistemin klimatik. Ai dëshiron të rikrijojë efektin albedo, duke krijuar re të bardha lart mbi tokë. Me garancitë e duhura shkencore dhe në konsultim me komunitetet vendase, ky projekt mund të ndihmojë në rivendosjen e sistemit klimatik të Arktikut, që dikton funksionimin e të gjithë sistemit klimatik global.

Ritmi i përshpejtuar i ndryshimeve klimatike do të shkaktojë një migrim në shkallë të gjerë, për të cilin bota nuk është e përgatitur si duhet. Në rast se nuk e ndryshojmë mënyrën se si përballemi me ndryshimet klimatike, qytetërimi ynë do të shkatërrohet tërësisht nga rritja e temperaturave që do t’i bëjë praktikisht të pajetueshme pjesë të mëdha të botës.

Ne duhet të riorientojmë institucionet tona financiare ndërkombëtare, veçanërisht Bankën Botërore, që të fokusohen në ndryshimin e klimës. Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, një mohues i ndryshimeve klimatike, dha pak dorëheqjen pak ditë më parë.

Tani do të ndalem shkurtimisht tek gjeopolitika. Dy sisteme qeverisëse po luftojnë për dominimin global. Një shoqëri e hapur dhe një tjetër e mbyllur. Unë e kam përcaktuar qartë dallimin mes tyre:në një shoqëri të hapur, roli i shtetit është të mbrojë lirinë e individit; në një shoqëri të mbyllur, roli i individit është t’i shërbejë interesave të shtetit.

Si themelues i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, shoqëritë e hapura janë padyshim të preferuara e mia, dhe unë i konsideroj ato moralisht superiore ndaj atyre të mbyllura. Por kur flasim për epërsi morale, hasim një vështirësi:të dyja sistemet e cilësojnë veten superiore. Prandaj, shoqëritë e hapura duhet të dallohen, duke e mbrojtur realisht lirinë e individit. Kjo sigurisht do t’i joshte edhe njerëzit që jetojnë në shoqëri të mbyllura. Natyrisht, shtetet represive mund të mbizotërojnë ende, sepse mund të jenë në gjendje t’i detyrojnë nënshtetasit e tyre që t’u shërbejnë atyre.

Në fakt dy sistemet kanë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Duke i kuptuar më mirë ato, ne mund të përmirësojmë të kuptuarit tonë për botën. Turqia e presidentit Recep Tayyip Erdoğan është ndoshta rasti në interesant i një vendi që kërkon të jetë pjesë e të dyja kampeve. Erdogan është i angazhuar në mënyrë aktive me të dyja anët e luftës në Ukrainë, dhe është vendosur si një ndërmjetës neutral mes tyre. Ai e ka keq-menaxhuar ekonominë turke dhe do të përballet në maj me zgjedhje. Të gjitha përpjekjet e tij janë të përqendruara në fitoren e tyre.

Ai është afruar më shumë me Putinin, që synon ta shndërrojë Turqinë një qendër shpërndarjeje të naftës ruse, dhe kjo do t’i japë Erdoganit paratë që i nevojiten për zgjedhjet. Ndërkohë ky i fundit është bërë më autokratik në shtëpi. Por përpiqet të burgosë kundërshtarin e tij më të fuqishëm, kryetarin e bashkisë së Stambollit, dhe të ndalojë pjesëmarrjen në zgjedhje të partisë kurde.

Por nuk do të mund ta shkelë traditën që i lejon partitë politike të mbikëqyrin numërimin e votave. Dhe kjo do ta bëjë të vështirë manipulimin e rezultatit. Tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë në fillim të këtij muaji është një tragjedi. Tronditja e shkaktuar prej tij po kthehet në një zemërim popullor në shumë zona të prekura për shkak të reagimit të ngadaltë të qeverisë dhe dëshirës për të kontrolluar të gjitha përpjekjet e ndihmës.

Praktikat e dobëta të ndërtimit dhe modeli i rritjes i drejtuar nga ndërtimi i Erdogan e përkeqësuan gjithçka. Mënyra më e mirë për të adresuar këto çështje është mbajtja e zgjedhjeve. Situata aktuale ka disa ngjashmëri me Luftën e Ftohtë, por dallimet janë shumë më të mëdha.

Në Ukrainë po zhvillohet një luftë e vërtetë që ka ndryshuar gjithçka. Deri në tetor 2022, Ukraina po fitonte në fushën e betejës. Më pas me ndihmën e Iranit, Rusia nisi përdorimin e dronëve në një shkallë të gjerë. Synimi i tyre ishte t privonin popullsinë civile nga energjia elektrike dhe uji që të dobësonin moralin e tyre.

Kjo strategji e ka vendosur Ukrainën në pozita mbrojtëse. Ushtria ruse është e dëshpëruar. Ajo është e udhëhequr keq, e pajisur keq dhe e demoralizuar. Putin e kuptoi këtë dhe nisi një lojë të dëshpëruar. Angazhoi Yevgeny Prigozhin, që zotëron një ushtri mercenarësh të quajtur Grupi Vagner, dhe është i etur të provojë se mund të bëjë më mirë se ushtria e rregullt.

Putin e lejoi atë të rekrutonte të burgosur nga burgjet. Kjo lëvizje e shkel ligjin në Rusi, por Putini nuk i bindet asnjë ligji. Basti funksionoi. Me ndihmën e të burgosurve, Vagner nisi të fitonte territor. Ushtria ukrainase e ngadalësoi përparimin e saj, por po humbte më shumë se 100 ushtarë të stërvitur në ditë.

Ukraina u përball me një zgjedhje strategjike:ose të angazhohej në frenimin e Vagner ose

t’i lejonte Rusisë një fitore propagandistike dhe të ruante burimet e saj të kufizuara për

një kundërsulm. Në dhjetor, presidenti Zelensky shkoi në Uashington dhe ra dakord me presidentin Joe Biden, se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës është ta fitojmë atë.

Por Biden e paralajmëroi Zelensky-n se ka kufij ndaj asaj që ai është i gatshëm të bëjë. Një Luftë e Tretë Botërore duhet të shmanget me çdo kusht, teksa duhet të ruhet mbështetja e Evropës për Ukrainën. Një kundërsulm i mundshëm i ukrainasve këtë pranverë, mund të përcaktojë fatin e luftës.

Një fitore e Ukrainës do të sillte shpërbërjen e perandorisë ruse. Rusia nuk do të përbënte më një kërcënim për Evropën dhe botën. Ky do të ishte një ndryshim i madh për mirë. Do të sillte lehtësim të madh për shoqëritë e hapura dhe do të krijonte probleme të jashtëzakonshme për shoqëritë e mbyllura. /albeu.com

Marrë me shkurtime
Shënim:George Soros, kryetar i Menaxhimit të Fondeve Soros dhe Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur.


Shtuar 18.02.2023 13:44