Mbledhja e radhës mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, zbulohet data dhe vendi

Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovë do të zhvillojnë takimin e radhës. Mësohet se takimi do të zhvillohet në qytetin e Gjakovës, më 14 qershor.

Është zgjedhur kjo datë sepse 14 qershori kremtohet nga gjakovarët si dita e çlirimit të qytetit historik dhe përkujtohet në kalendarin e kësaj treve për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës.

Në 14 qershor dy qeveritë do të ulen sërish përballë në takimin e tyre të nëntë në Gjakovë në përpjekje për të përparuar me bashkëpunimin mes dy shteteve të të njëjtës kombësi.

Që prej 11 Janarit 2014 kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim janë firmosur dhjetëra marrëveshje.

Arritjet më të rëndësishme janë ato të lirisë së lëvizjes në të dy anët e kufirit, në fushën e shkëmbimeve ekonomike, në fushën e energjisë elektrike, në mësimin e abetares së përbashkët, puna e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve, ndërsa në horizont mbetet sfida më e madhe ende e parealizuar, porti i ri detar i përbashkët që është planifikuar të ndërtohet në Porto Romano, një port për krejt hapësirën shqiptare në Ballkan dhe transporti hekurudhor mes Tiranës dhe Prishtinës.