Çuçi dënon sulmin ndaj godinës së Top Channel: Policia e Shtetit e përkushtuar për të zbardhur ngjarjen

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka dënuar sulmin kriminal që u regjistrua pak pas mesnate sot ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Çuçi bën me dije se Policia e Shtetit po punon për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët.

Gjithashtu Çuçi dërgon ngushëllimet e tij familjes që rojes së sigurisë i cili humbi jetën nga të shtënat me armë zjarri.

Nuk dihen ende motivet e krimit, por dyshohet se autorët kanë qenë tre. Në Golem është gjetur një makinë e djegur me dy kallashinkov brenda, e cila dyshohet se u përdor për sulmin.

Në vendngjarje policia ka gjetur rreth 25 gëzhoja. Plumbat kanë prekur pjesën rrethuese të televizionit, ndërsa një prej tyre kapi edhe 60-vjeçarin Pal Kola, i cili ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës.

Reagimi

Dënoj sulmin kriminal ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel. Policia e Shtetit bashkë është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe solidaritet me Top Channel.

/albeu.com/