Sot iu vodh shtëpia, kush është gjyqtarja milionere e Durrësit, e hetuar për pastrimin e 1 milion dollarëve

Gjyqtarja Shpëtime Pitaku ka rënë pre e grabitjes.

Pitaku, e cila ushtron detyrën e gjyqtares pranë Gjykatës së Durrësit ka pretenduar se i janë marrë 2 mijë euor dhe bizhuteri. Ende nuk dihen detajet e ngjarjes, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e detajeve.

Por kush është gjyqtarja Shpëtime Pitaku?

Gjyqtarja e Durrësit Shpëtime Pitaku rezulton një ndër gjyqtaret më të pasura të sistemit të drejtësisë.

Në deklaratën e saj të pasurisë, vetëm për vitin 2015 që ka dorëzuar pranë ILDKP, gjyqtarja thotë se ka 5 lokale, të cilët i kanë sjellë të ardhura të konsiderueshme. Nga qiratë e pesë lokaleve ka marrë shumat 9 600 euro, 360 000 lekë, 1 200 euro, 1 200 euro dhe 1 800 euro. Gjyqtarja deklaron edhe një sipërfaqe trualli 650 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 442 m2, në bashkëpronësi.

Nga veprimtaria si gjyqtare, zonja deklaron 1 426 425 lekë, të ardhura nga puna e bashkëshortit si mjek stomatolog privat 1 609 327 lekë, gjendje nga paga, 173 802 lekë, qira të klinikës dentare 120 000 lekë.

Në vitin 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka paditur në prokurori gjyqtaren e Gjykatës së Durrësit, Shpëtime Pitakun.

“Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, falsifikime dokumentash, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1 milion usd”, thuhej në njoftimin e ILDKPI.

ILDKPKI i kërkoi organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm për subjektin deklarues Shpëtime Pitaku, pasi është kallëzuar edhe më parë nga ILDKPKI për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare./Albeu.com/ 


Shtuar 9.06.2023 10:29