“7 minuta i shpëtuan nga vdekja”, gazetarja: Furgoni që po shpërndante punonjësit e TCH është shkëmbyer me makinën e autorëve

Gazetarja Klodiana Lala tregoi disa detaje nga sulmi që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Top Channel, aty ku mbeti i vrarë roja e sigurisë Pal Kola.

Lala u shpreh se e konsideron një akt terrorist për mënyrën se si është kryer, ndërsa autorët i quan burracakë.

Ajo zbuloi se në pamjet e sigurisë është parë se si makina që shpërndante punonjësit e Top Channel është shkëmbyer me makinën e autorëve. Sipas gazetares kjo ngjarje është një dështim për strukturat e shtetit.

“Unë e kam parë si një akt terrorist pasi ankthi që ka shkaktuar tek gazetarët dhe mesazhi që ka dhënë ka qenë një akt kriminal. E kam cilësuar akti terrorist për mënyrën se si është kryer. Në pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se ishte furgoni i fundit që po shpërndante punonjësit dhe janë shkëmbyer me makinën e autorëve. Janë 25 plumba, dhe njëri prej tyre ka goditur Pal Kolën.

U qëllua barbarish nga disa burracakë, edhe krimi në momente të caktuara ka disa rregulla por tashmë nuk ka më. Sikush ka ardhur dhe ka qëlluar e ka pasur të qartë që brenda mund të kishte njerëz nga më të ndryshëm. Ata kriminelët që kanë marrë një armë dhe kanë goditur e kanë ditur që mund të kishte pasoja më të rënda. Janë dy mjete të fundit që janë larguar nga godina për të shpërndarë punonjësit. Kjo është një dështim nga strukturat e shtetit. Ne kemi rëndë në një letargji dhe e konsideroj një akt terrorist”, tha gazetarja në Top Story.

Edhe eksperti Ervin Karamuço tregon si shpëtuan nga plumbat 10 gazetarët e Top Channel.

“Po kthehesha nga aeroporti kisha marrë nënë time dhe më erdhi një mesazh ku më thanë se ishte vrarë roja, kam lënë nënën në shtëpi dhe kam ardhur menjëherë kam gjetur të gjithë zonën e rrethuar nga policia, i kam gjetur policinë të angazhuar, e gjithë elita e lartë ka qenë e angazhuar.

Top Channel për disa orë është bërë një qendër e komandimit të këtij operacioni. Ata më thanë nëse nuk e zbulojmë dot këtë punë do të jemi kokulur ndaj medias dhe opinionit publik, janë bërë këqyrje jashtëzakonisht profesionale dhe mendoj se janë në një rrugë të drejtë e shumë shpejt do të gjendet.

Erdha sepse Top Channel është një media që i ka hapur derën të gjithëve që duan të flasin troç dhe erdha të mbështes këtë institucion e të jem solidar me policinë e shtetit. Ky është momenti që të gjithë ne të jemi bashkë për t ju kundërvënë kësaj pakice që po vret njerëz të pafajshëm, askush nuk mund ta shantazhojë këtë media ky është një akt i një shantazhimi të pafajshëm, nëse do të kishte koençiduar shtatë minuta më para do të ishin vrarë 10 veta të stadit që ndërronin turnin. Kam menduar që objektivi kryesor ka qenë kupola në hyrje, ka një vonesë të tyre në momentin e parë, tre plumbat e parë kanë goditur fugonin që ndodhej pranë TCH ndërsa plumbat e tjerë vinin në formë zig-zage.

Në dy plumbat e parafundit njëri ka kaluar në rikoshet dhe ka goditur rojen e sigurisë ndërsa i fundit ka goditur autobusin. Në mënyrë kategorike nuk kishte objektiv personal, nuk mund të quhet që këto bëhen për shkaqe të mospëlqimit të një gazetari, është një akt terrorist ndaj televizionit shqiptar.“- tha Karamuço.


Shtuar 28.03.2023 16:13