“Isha me pushime, mjetin e mori roja i hotelit”, i vodhën makinën që u përdor në sulmin drejt Top Channel, flet pronari i “Range Rover”

Policia njoftoi sot se makina e përdorur nga autorët e sulmit me kallashnikov ndaj Top Channel ishte vjedhur që prej vitit 2020 në fshatin Tale të Lezhës.

Makina “Range Rover” i është vjedhur një shtetasi nga Kosova Ramadan Makolli, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.

Ramadan Makolli ka folur për Gazeten Express dhe zbuluar se makina iu vodh nga roja i hotelit në Shëngjin, ku kishte shkuar për pushime.

“Range Rover” me të cilin është sulmuar Top Channel, ka qenë veturë e imja deri më 10 korrik të 2020-ës, por ajo m’u vodh nga roja i hotelit ku po qëndroja në Shëngjin me pushime atëherë. Unë i kam pa lajmet që vetura ka qenë me targa të huaja në momentin kur është gjetur e djegur pas sulmit që ka ndodhë mbrëmë. Ato targa nuk e di kur ia kanë nxjerrë, që po më duket kanë qenë angleze, por, mu kur ma kanë vjedhë veturën para tre vjetëve, targat e saj kanë qenë 01, pra, të Kosovës”, tha Makolli./albeu.com/


Shtuar 28.03.2023 13:54