Tre të vdekur në një banesë, detaje nga krimi në Lipjan

Dje rreth orës 16:30 janë gjetur tre trupa të pajetë në fshatin Rufc të Lipjanit.

“Rreth orës 16:30 policia ka pranuar informatën për tre persona të pajetë në fshatin Rufc të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku janë hasur tre trupa të pajetë. Vdekja e të cilëve është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor Aktualisht policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, thuhej në njoftimin e policisë.

Sipas të dhënave të bëra të ditur deri më tani, viktimat janë një çift burrë e grua dhe djali i tyre.

Burri është me inicialet A.B është i moshës rreth 50 vjeç, derisa djali A.B është rreth moshës 23 vjeçare. Inicialet e gruas janë K.B.

Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria në Prishtinë. Zëdhënësja, Laureta Ulaj, tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rastit.

Ajo tha se ka dyshime që çojnë drejt vrasjes së dy personave dhe një vetëvrasje.

“Lidhur me rastin i cili ndodhi sot në fshatin Rufc të Lipjanit, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti. Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje (brenda familjes)”, tha Ulaj për Express.

Ajo shtoi se trupat e pajetë do të dërgohen në IML për ekspertizë mjeko-ligjore.

“Trupat e pajetë, me urdhër të Prokurores së Shtetit do të dërgohen në IML për obduksion, derisa veprimet hetimore do të vazhdojnë deri në zbardhjen e rastit në plotëni”, tha Ulaj dje për Express.


Shtuar 29.07.2023 08:01