Investigimi i Der Spiegel:Putin një korrier në zyrën e KGB në Drezden, roli i tij është zmadhuar nga mashtrues të etur për famë  

Nga Sven Röbel &Wolfgang Tietze “Der Spiegel

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Prej disa vitesh, qarkullon një histori me përmasa epike mbi presidentin aktual të Rusisë. Kështu pretendohet se gjatë viteve 1980, Vladimir Putin ka qenë në një mision tepër sekret në Gjermaninë Lindore si një oficer i ri në agjencinë e frikshme të shërbimit sekret sovjetik KGB.

Nga stacioni i agjencisë në Dresden, supozohet se ai ka mbajtur kontakte me terroristët e krahut të majtë që i përkisnin Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe (RAF) në Gjermaninë Perëndimore, duke i furnizuar ata me armë dhe udhëzime.

Po ashtu thuhet se Putini ka drejtuar vazhdimisht takime konspirative midis KGB-së, Ministrisë së Gjermanisë Lindore për Sigurinë e Shtetit (famëkeqja STASIi) dhe RAF, në të cilat janë diskutuar sulmet ndaj objektivave të shquar, siç ishte për shembull vrasja e kreut të Deutsche Bank, Alfred Herrhausen.

Rrëfimi mbi lidhjet e supozuara të Putinit me RAF, ishte në thelbin e 2 librave mbi jetën e udhëheqësit të Kremlinit, përfshirë bestsellerin e gazetares britanike Catherine Belton “Njerëzit e Putinit”. Me sa duket i njëjti informator ka shërbyer si burim për të dyja veprat: një ish-anëtar i dyshuar i RAF-it, që ka folur në kushte anonimiteti.

Për shumë kohë, ekspertët kanë qenë në mëdyshje mbi identitetin e burimit. Tani duket se misteri është zgjidhur. Personi në fjalë besohet të jetë Dietmar C. nga qyteti Dillingen në landin perëndimor Saarland. Dhe ky fakt mund të jetë një problem serioz për besueshmërinë e narrativës së Putinit.

Sepse Dietmar C., sot 71 vjeç, rezulton se është marrë me shumë gjëra në jetën e tij plot ngjarje: ka qenë një bohem, grabitës bankash, një burim kyç i zbulimeve të dyshimta. Por ai nuk ka qenë kurrë një anëtar i RAF. Përkundrazi, ai konsiderohet si një mitoman famëkeq, dhe në CV-në e tij ka disa dënime të mëparshme, përfshirë për deklarata të rreme.

Në dosjet e policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, STASI, që janë bërë publike deri më sot, emri i Putinit përmendet shkarazi në vetëm disa faqe. Dhe ato përshkruajnë ngjarje tejet banale si urimet e ditëlindjes, çështjet administrative apo mbrëmjet e miqësisë gjermano-sovjetike, të kapura në foto paksa të mjegullta.

Fakti që për të ka aktualisht kaq pak të dhëna ka nxitur spekulime të shumta: A ishin detyrat e Putinit aq me rëndësi sa të gjitha gjurmët u fshinë vazhdimisht nga dokumentet zyrtare? Apo në fakt ai ka kryer një punë rutinë, e cila ishte shumë e parëndësishme për t’u arkivuar nga STASI?

Horst Jehmlich, ndihmësi kryesor i shefit të fundit të STASI-it në Dresden, pohon se Putin ka luajtur një rol modest. Putin ishte më shumë një “korrier” në degën rajonale të KGB-së, thotë Jehmlich për “DerSpiegel”. Edhe pse në ndonjë rast ai ka firmosur kërkesa për Ministrinë e Sigurimit të Shtetit (MfS), çështjet e rëndësishme sqaroheshin gjithmonë personalisht nga kreu sovjetik i stacionit të KGB-së me ndihmën e një përkthyesi të MfS-së dhe pa Putinin të pranishëm.

Ish-kolegu i Putinit në zyrën e KGB-së në Dresden, është në të njëjtën linjë me Jehmlich. Ai thotë se puna e tij kishte të bënte kryesisht në analizimin e një rryme të pafund aplikimesh për të vizituar familjet në Gjermaninë Perëndimore apo në kërkimin e informatorëve të mundshëm mes studentëve të huaj në Universitetin e Dresdenit.

Gjithsesi, asgjë nga këto nuk i ka zbehur spekulimet rreth misioneve speciale të Putinit, edhe për shkak se vetë Putin nuk ka bërë kurrë ndonjë deklaratë të qartë për punën që ka kryer në Gjermaninë Lindore. Madje duket se legjenda e të qenit një spiun i nivele të larta, nuk ka të ngjarë që t’i jetë dukur e bezdisshme.

Varianti i përfshirjes së supozuar të Putinit në terrorizmin e RAF, u shfaq për herë të parë në biografinë e vitit 2012 “Njeriu pa fytyrë” nga Masha Gessen. Në të, një i dyshuar si ish-anëtar i RAF, tregon se si anëtarët e grupit terrorist të krahut të majtë ekstrem “shkonin herë pas here në Dresden për seanca stërvitore”, duke i dhënë kontaktit të tyre Putin dhuarata nga Perëndimi.

Intervista u zhvillua në Bavari në gushtin e vitit 2011. Me sa duket i njëjti burim anonim citohet në bestsellerin e Catherine Belton të vitit 2020 “Njerëzit e Putinit”. “Ne u takuam disa herë në Dresden”- pretendon në atë libër ish-terroristi i supozuar.

Sipas burimit, njerëzit e RAF udhëtonin drejt Gjermanisë Lindore me tren, dhe priteshin në stacion nga agjentët e STASI-t me një makinë Sedan të prodhimit sovjetik, nga ku dërgoheshin në një shtëpi të sigurt në Dresden, ku më pas mbërrinin Putini dhe një koleg tjetër i KGB-së për të diskutuar mbi aktet terroriste.

Gessen refuzoi t’i përgjigjet pyetjes tonë nëse dëshmitari i dyshuar ish-terrorist i RAF kishte qenë në fakt Dietmar C. Ndërkohë Catherine Belton deklaroi se nuk do të komentonte për të mbrojtur burimin e saj. Sipas saj zbulimi i çdo informacioni do të ishte shkelje e marrëveshjeve të bëra për të garantuar sigurinë e personit në fjalë.

Belton shtoi se kishte parë dokumente që “e bënin të besueshme dëshminë e këtij personi”. Por ajo nuk deklaroi se cilat dokumente ishin ato. Ndërkohë lidhja e pretenduar RAF-KGB u trajtua në një mënyrë më pak të fshehtë në biografinë e tjetër “Vladimir V.Putin” të gazetarit gjerman Thomas Fasbender, botuar në vitin 2022.

Në të, ai citon Dietmar C. me emrin e tij të plotë. Në libër thuhet se tani “burimi nuk e ka problem zbulimin e identitetit të tij”. Fasbender pretendon se burimi është i njëjti person që kishte folur me Gessen dhe Belton. Gazetari thotë se gjatë një takim me Dietmar C. në gusht 2021, burimi tregoi sërish takimet e RAF me Putinin në Dresden dhe i zbukuroi me detaje shtesë.

Po ashtu, ai pohoi se në takimet klandestine mori pjesë jo vetëm Putini, por edhe Sergei Ivanov, i cili më vonë u bë Ministër i Mbrojtjes i Rusisë. Megjithatë Fasbender shkruan se  Dietmar C. nuk ka qenë asnjëherë anëtar i RAF, por ai i ofronte grupit ndihmë të herë pas hershme.

I pyetur nga “Der Spiegel” mbi besueshmërinë e burimit të tij, Fasbender thotë se Dietmar C. “nuk të jepte përshtypjen e të qenit një mashtrues, por gjithsesi kjo nuk do të thotë se çdo deklaratë që ai bën duhet të merret domosdoshmërisht si e vërtetë”.

Fasbender e përshkruan Dietmar C. si një “njeri me një të kaluar radikale të krahut të majtë dhe me një jetë të rrëmujshme në mjegullnajën e terrorizmit”, por nga të dhënat del se shërbimet sekrete dhe autoritetet gjermane të sigurisë nuk kanë asnjë dijeni për lidhjet e tij me RAF, KGB apo STASI-in.

Investigimi i “Der Spiegel”, zbuloi se as Prokuroria Federale, e cila është përgjegjëse për hetimet e terrorit, as njësia e kundërzbulimit të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe as arkivat e STASI-it nuk kanë marrë ndonjë informacion të tillë.

Edhe kreu i fundit i Departamentit XXII/8 të STASI-t, i cili ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e RAF me urdhër të Ministrit të Sigurimit të Shtetit, Erich Mielke, i tha gjithashtu “Der Spiegel” se nuk kishte dëgjuar kurrë për këtë njeri. Emri i Dietmar C. është më i njohur për sistemin gjyqësor në Gjermaninë Perëndimore.

Duke filluar nga vitet 1970, rekordet e tij kriminale u shtuan vazhdimisht, duke përfshirë krime të tilla si përvetësim, vjedhje, shantazh dhe shkelje të Ligjit për Armët. Ai kreu dënime të shumta me burg dhe deri në vitin 2017, një gjykatë e qarkut bavarez e dënoi atë me gjobë për sulm fizik.

Por përveç karrierës së tij kriminale, Dietmar C. i pëlqente gjithashtu të përhapte histori spektakolare, duke e vënë shpeshherë veten në rolin kryesor. Për shembull, një herë ai i tha gazetarit investigativ Jürgen Roth një version krejtësisht të ndryshëm të biografisë së tij. Ndryshe nga historia që i rrëfeu Fasbender, sipas së cilës Dietmar C. ishte anëtar i një “shoqate luftarake” anarkiste në Gjermaninë Jugore në fillim të viteve 1970, ku dyshohet se ra në kontakt me RAF, ai i tha Roth se “në fillim të viteve 1970”, ai kishte luftuar si një “mercenar” në Afrikë, në atë që atëherë ishte Rodezia.

Në fakt, sipas një shoku dikur të ngushtë, Dietmar C. nuk luftoi për RAF ose në Rodezi në atë kohë, por shërbeu në forcat e armatosura të Gjermanisë, Bundeswehr. Thuhet se ai ishte trajnuar si mjek, vodhi disa pajisje dhe dezertoi nga ushtria, për të cilën u dënua nga Gjykata e Marburgut në dhjetor 1972.

Madje në librin e Roth pretendohet se Dietmar kishte luftuar përkrah muxhahedinëve “në luftën kundër trupave sovjetike”, dhe se në atë kohë ishte takuar “disa herë” edhe me Osama bin Laden, të cilin e kishte përshkruar si një “tip shumë të qetë”. Por dosjet penale tregojnë një histori tjetër. Në fakt Dietmar C. kreu një tjetër dënim me burg në Gjermani në fillim të viteve 1980 pas grabitjes së një banke. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 9.06.2023 10:39