“Pushtimi” i bashkive, Salianji: S’tërhiqemi nga kauza e zgjedhjeve, kam derdhur dhe lot
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji tha në nëse opozita nuk tërhiqet nga kauza e saj. Në një intervistë për RTV Ora, Salianji u shpreh se PD është e gatshme të regjistrohet në zgjedhje, vetëm kur të garantohet një proces i lirë dhe i ndershëm.

Sipas Salianjit, opozita nuk ka kërkuar shtyrje të zgjedhjeve, ndaj këmbëngul se edhe në 13 tetor nuk mund të ketë zgjedhje nëse Rama nuk largohet.

Ervin Salianji: PD është e gatshme të regjistrohet në çdo moment që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD nuk është tërhequr nga kauza e saj. Ne nuk kemi kërkuar shtyrje të zgjedhjeve. Nuk kemi kërkuar që zgjedhjet të jenë nga 30 qershori në 13 shtator apo 13 tetor. Ne kemi kërkuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri që i garanton këto pa Ramën kryeministër. Kështu që ne nuk kemi si të tërhiqemi pasi i kemi bërë 6 muaj betejë dhe të themi do ketë zgjedhje në 13 tetor me Ramën kryeministër.

Sipas tij, 30 qershori është nul dhe zgjedhjet lokale do të përsëriten në një moment më të përshtatshëm.

Ervin Salianji: 30 qershori është nul dhe padiskutim do të ripërsëritet në një moment që do të jetë i përshtatshëm. 13 tetori është data kushtetuese dhe duhen padiskutim duhen ndëshkuar të gjithë institucionet që kanë detyrimin ligjor për të vazhduar dhe nxjerrë aktet për regjistrimin e partive politike dhe për regjistrimin e kandidatëve sepse janë në abuzim dhe në shpërdorim të detyrës që nuk po ndjekin dekretin e Presidentit, i cili është i vetmi institucion që ka këtë tagër ligjor dhe Gjykata Kushtetuese që ka tagrin për ta rrëzuar sot nuk funksionon dhe nuk ka një ankesë për atë datë.

Salianji ka rrëfyer sakrificat që çdo demokrat bën në interes të publikut.

Ervin Salianji: Në momentin kur isha në bashkinë e Devollit dhe shihja demokratë, qytetarë dhe njerëz që mbështesnin prej kohësh kauzën e PD dhe dridheshin nga uzurpimi apo nga pushtimi, pa diskutim që nga përmbajtja edhe vetë kam lëshuar lot. Kjo është një sakrificë që bëjnë demokratët, por është një sakrificë që i shërben në fund interesit publik. I gjithë aksion opozitar do të matet në ditën kur të arrijë apo jo suksesin.

Për Salianjin lënia e mandateve e ka rritur besueshmërinë tek Partia Demokratike. Sipas tij Rama po qeveris si një despot dhe jo si një kryeministër i një vendi demokratik.

Ervin Salianji: Nuk më duket, sepse gjithçka është në raport me qëllimin. Qëllimi i parlamentit është që të përfaqësojë zërin e qytetarëve dhe të marrin vendime. Në parlamentin aktual nuk ishte një parlament i cili i shërbente interesave të qytetarëve. Në momentin kur ne si përfaqësues të qytetarëve ishim kthyer në fasadë sepse asnjë mekanizëm ligjor nuk funksiononte, asnjë pushtet nuk kishte, por vetëm fjala e kryeministrit, padiskutim që i shërben interesit publik lënia e mandateve dhe qëndrimi jashtë sistemit, për t’ia lënë të gjitha kostot e këtij sistemi, qeverisjes së Edi Ramës dhe Edi Ramës personalisht, i cili po qeveris si despot dhe jo si një kryeministër i një vendi demokratik. Kështu që jo vetëm nuk e ka ul skepticizmin lënia e mandateve, por e ka rritur entuziazmin dhe besueshmërinë tek PD, sepse nuk po lufton për pushtet apo për karrige, sepse ato karrige që kishim i lamë me vullnet, por po sakrifikon njësoj si çdo qytetar shqiptar.
Shtuar më 11/08/2019, ora 22:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori