Pronar i kazinosë në ish Bllok, thellohet misteri i eliminimit të biznesmenit në Laç
Në atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Laç, mbetën të vrarë Bujar Lika (Hasani) dhe Paulin Gjergji, i cili mban po ashtu dy mbiemra, edhe Markaj. Ky i fundit u transferua mbrëmjen e djeshme në spitalin e Traumës në Tiranë, e megjithatë nuk u shpëtoi dot plagëve të marra.

52-vjeçari, me origjinë nga qyteti i Laçit, është një emër jo pak i njohur në fushën e biznesit, pasi ka disa prona dhe objekte biznesi në Tiranë, mes tyre dhe një kazino në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në afërsi të godinës së sotme të LSI-së.

Bëhet fjalë për kazinonë Vegas, të cilën Markaj e ka pasur edhe të regjistruar në QKB, siç mund ta shihni në foton e mëposhtme. Ajo që i shton edhe më shumë dyshimet, dhe implikimet e njerëzve të njohur, është fakti se Markaj e ka blerë kazinonë nga deputeti i PD-së Mhill Fufi. Ky i fundit ka qenë deputet i Lezhës në legjislaturën e kaluar, ndërkohë që të dy djemtë e tij kanë pasur probleme me ligjin, njëri prej të cilëve është dënuar për drogë në Angli.

Të gjitha dyshimet e deritanishme thonë se objektiv i atentatit ka qenë Hasani, dhe jo Markaj, por ndërkohë hetimet vijojnë, dhe derimë tani janë shoqëruar të paktën 30 persona, si të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Shtuar më 31/05/2020, ora 15:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori