Si duhet të përgatitet Perëndimi për zgjedhjet turke

Nga Aslı Aydıntaşbaş & Jeremy Shapiro “European Council on Foreign Relations

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Më 14 maj, qytetarët turq do të vendosin për presidentin e tyre të ardhshëm dhe për parlamentin e ri. Nëse sondazhet rezultojnë të sakta, votuesit mund të zgjedhin t’i japin fund mbretërimit më shumë se 20-vjeçar të Recep Tayyip Erdogan dhe partisë së tij konservatoro-nacionaliste AKP.

Por ashtu si në garat e tjera vendimtare në shoqëri po aq të polarizuara sa ajo turke, duke përfshirë Izraelin, Brazilin dhe madje edhe Shtetet e Bashkuara, rezultatet mund të befasojnë të gjithëve, duke sfiduar sondazhet dhe duke i dhënë Erdoganit një mandat tjetër.

Në secilin rast, shënojeni 14 majin në kalendarin tuaj. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare turke po shndërrohen në një moment kritik në një vend që ka fituar një rol qendror për zhvillimet gjeopolitike në të gjithë Evropën dhe Lindjen e Mesme. Turqia është bërë një test për qëndrueshmërinë e demokracisë ndaj autoritarizmit elektoral.

Por ajo mund të shndërrohet edhe në një pikë të rrallë të ndritshme për investitorët perëndimorë që kërkojnë një histori pozitive, ndërsa SHBA dhe Evropa po i afrohen recesionit ekonomik. Rrethanat e pasigurta të këtyre zgjedhjeve, nënkuptojnë se veprimet dhe deklaratat që bëjnë politikë-bërësit amerikanë dhe evropianë në prag dhe menjëherë pas zgjedhjeve, mund të përcaktojnë marrëdhëniet e tyre me Turqinë për dekadën e ardhshme.

Në disa rrethana, ata mund të kenë nevojë që të veprojnë shpejt, duke pasur relativisht pak informacione. Ndër të tjera, është i nevojshëm kujdesi me synim ruajtjen e interesave afatgjata. Ne ofrojmë disa rekomandime se si mund të reagojnë në rrethana të ndryshme.

Mos u mundoni të ndikoni mbi rezultatin e zgjedhjeve

“Perëndimi” është shndërruar në gogolin që përdoret shpesh në fushatat turke pas vitesh anti-amerikanizmi të pakundërshtueshëm që ka depërtuar në diskursin publik. Qeveria po e akuzon tashmë opozitën se është një vegël në duart e Perëndimit për ta dobësuar Turqinë, për ta përçarë dhe për të promovuar martesat midis homoseksualëve për të dobësuar vlerat e familjes turke.

Disa qeveri perëndimore mund të tundohen të ndërhyjnë në disa mënyra qoftë edhe të tërthorta në politikën turke. Por kjo do të ishte e gabuar. SHBA-ja dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë profile thellësisht problematike në Turqi, një vend i cili është mosbesues ndaj të huajve dhe tepër i ndjeshëm ndaj teorive konspirative. Çdo ndërhyrje, pa marrë parasysh se sa delikate apo e aftë mund të jetë, rrezikon një kundër-reagim të fortë. Ndaj as mos provoni.

Theksoni vazhdimisht para, gjatë dhe pas zgjedhjeve nevojën për një proces të lirë dhe të drejtë

Detyrimi për të mos ndikuar në zgjedhje nuk përjashton deklarimin nga qeveria amerikane dhe ato evropiane, se aleatët e Turqisë presin që të shohin mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Deklarata të tilla duhet të mbeten gjithmonë në nivelin e parimeve, t’i referohen vetë kushtetutës së Turqisë dhe dekadave të suksesit me zgjedhjet shumëpartiake, dhe të shmangin përmendjen e çështjeve specifike të diskutueshme që po debatohen aktualisht në Turqi.

Në rastin e kontestimit të zgjedhjeve pas votimit të 14 majit, SHBA dhe Bashkimi Evropian duhet të përsërisin vazhdimisht nevojën për një proces të rregullt dhe të dënojnë çdo dhunë, por mos të marrin anë në debat. Nëse fiton opozita, Perëndimit duhet të nxitojë ta njohë atë sapo të shpallen rezultatet nga Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve.

Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë do të shpallë “rezultatet e përkohshme” në mesnatën midis 14 dhe 15 majit, ndërsa rezultatet përfundimtare më 19 maj. Nëse opozita fiton me një epërsi të madhe, nuk ka shumë rrezik për kontestime. Por nëse rezultatet janë të ngushta, ekziston rreziku që qeveria Erdogan të përsërisë atë që u përpoq të bënte në zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke marrë masa për të përmbysur rezultatet apo të kërkojë rinumërim. Pra, nëse rezultatet tregojnë një epërsi për opozitën, SHBA dhe BE duhet të lëvizin shpejt për të njohur fitoren e opozitës dhe të angazhohen në një diplomaci të nivelit më të lartë.

Heshtni nëse do të ketë një raund të dytë

Sipas të gjitha gjasave, asnjëri nga kandidatët nuk do të marrë 51 përqindëshin e nevojshëm për t’u zgjedhur president në raundin e parë, duke kërkuar mbajtjen e një balotazhi 2 javë më vonë. Kandidatët do të sulmojnë njëri-tjetrin me çdo gjë që mundin, dhe kjo periudhë ka potencialin të jetë e paqëndrueshme, siç ndodhi në verën e vitit 2015 kur Erdogan humbi shumicën për të formuar një qeveri.

Prandaj është e rëndësishme që Evropa dhe SHBA të shmamgin angazhimin e nivelit të lartë, të vazhdojnë të shprehin mbështetjen për procesin demokratik, dhe të shmangin çdo provokim të mundshëm në Irak ose Siri që mund të përdoret për të ushqyer narrativën se blloku opozitar mbështetet nga fuqitë e jashtme për të përçarë Turqinë.

Nxitini evropianët të rimendojnë qasjen e tyre aktuale ndaj Turqisë

Një qeveri e formuar nga opozita aktuale, do të ketë shumë sfida diplomatike dhe ekonomike, dhe si koalicioni opozitar (partitë opozitare të Tryezës së të Gjashtëve) dhe partnerët perëndimorë të Turqisë duken të papërgatitur për një Turqi post-Erdogan. Rivendosja e lidhjeve të prishura të Turqisë me partnerët e saj perëndimorë duhet të nisë nga  Evropa, në formën e ringjalljes së bisedimeve të anëtarësimit të vendit në BE.

Si Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe vendet anëtare të BE-së, duhet të inkurajojnë liderët e rinj të Turqisë që të shkojnë sa më shpejt në Bruksel për të rinisur procesin e integrimit. Brukseli duhet të përgatisë një paketë thelbësore për udhëheqjen e re të Ankarasë, e cila duhet të përfshijë hapjen e të paktën njërit prej kapitujve të ngrirë në procesin e anëtarësimit, duke filluar modernizimin shumë të nevojshëm të marrëveshjes së tregtisë së lirë Turqi-BE, dhe rifillimin e bisedimeve për udhëtimin pa viza për qytetarët turq në zonën Shengen.

Rëndësi ka procesi dhe jo rezultati. Në këmbim, liderët e rinj të Turqisë mund t’i sigurojnë homologët e tyre evropianë se janë të gatshëm të respektojnë marrëveshjen Turqi-BE të vitit 2016 për emigracionin, dhe se nuk kanë plane për t’i dëbuar me forcë refugjatët në Siri.

Dërgoni sinjale pozitive për marrëdhëniet SHBA-Turqi

Në rastin e një fitoreje të opozitës, qeveria amerikane duhet të sinjalizojë publikisht gatishmërinë e saj për të diskutuar dhe zgjidhur disa nga çështjet e pazgjidhura që ka me Turqinë, përfshirë shitjen dhe modernizimin e avionëve F-16 të Turqisë, mosmarrëveshjen turko-amerikane në lidhje me kurdët në Siri, zotërimin nga Ankaraja të një sistemi anti-ajror rus S-400, dhe mundësinë e mbështetjes ekonomike të SHBA-së dhe BE-së për sistemin financiar turk.

Një fitore e opozitës do të sillte një forcim të tregut dhe do të joshte investitorët ndërkombëtarë. Gjithsesi Turqia do të përballet me jo pak sfida ekonomike. Mbështetja e Uashingtonit do t’i sinjalizonte publikut turk dhe investitorëve ndërkombëtarë se Perëndimi e mbështet rezultatin e zgjedhjeve dhe se qeveria e re do të ketë një kapacitet të ri për të trajtuar problemet e Turqisë.

Synoni zbutjen e raporteve me Turqinë edhe nëse Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve shpall fituese AKP-në

Këto zgjedhjet zhvillohen nën një sistem monitorimi shumëpartiak, dhe zakonisht rezultatet  kanë pasur legjitimitet në sytë e votuesve. Nëse AKP-ja do të dominojë në raundin e parë ose të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Uashingtoni duhet të hartojë një plan për një normalizim në rritje të marrëdhënieve me qeverinë Erdogan, me të cilën marrëdhëniet kanë qenë të trazuara prej një kohe të gjatë.

Në rastin e zgjedhjeve të kontestuara, kur votuesit e opozitës do të mendojnë se ka pasur manipulime, SHBA dhe shtetet e BE-së duhet të ngadalësojnë njohjen dhe të presin zyrtarizimin e rezultateve.

Por në fund ata janë të detyruar të fillojnë angazhimin me qeverinë Erdogan për të adresuar disa nga çështjet më të rëndësishme në lidhjet dypalëshe. Ata duhet të mendojnë sesi të zhbllokohet çështja e aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO, dhe të marrin në konsideratë pranimin e ofertës së Turqisë për të blerë komplete modernizimi për flotën e saj F-16. /albeu.com


Shtuar 27.04.2023 13:13

Tags: