Protestat e reja në Serbi do të çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme

Nga Matteo Fabbri “Linkiesta

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Serbia mund të rikthehet tek zgjedhjet maksimumi në shtator të këtij viti, për herë të tretë në 4 vitet e fundit. Këtë gjë e bëri të ditur vetë  presidenti Aleksandar Vucic në një konferencë për mediat, duke shtuar se më shumë detaje për kohën dhe modalitetet do të jepen më 26 maj.

Në një fazë kur dukej se udhëheqësi serb kishte arritur të paktën një lloj qetësie në menaxhimin e marrëdhënieve me Prishtinën (pavarësisht se ishte përpjekur të bojkotonte zgjedhjet lokale në fund të prillit në rajonet veriore të Kosovës), Vucic e pa veten përballë një tragjedie të dyfishtë që e tronditi shumë vendin.

Në mëngjesin e 3 majit në Beograd, një nxënës hyri i armatosur në një shkollë dhe filloi të qëllonte, duke vrarë rojën e shkollës dhe 8 nxënës. Të nesërmen, një 15-vjeçar tentoi të godiste me thikë një bashkëmoshatar dhe një mësues (pa sukses), duke shkaktuar një sërë incidentesh që kanë vazhduar gjatë gjithë ditës në institucione të ndryshme në të gjithë vendin.

Ngjarja e dytë më e rëndë ndodhi në mbrëmjen e asaj dite, kur një tjetër sulm me armë në një fshat afër Beogradit shkaktoi vdekjen e 8 personave, të gjithë nga 15-25 vjeç. Në vetëm 2 ditë episodet e dhunës shkaktuan vdekjen e 17 personave dhe plagosjen e mbi 20 të tjerëve, shumica prej tyre shumë të rinj.

Në kundër përgjigje ndaj këtyre ngjarjeve të rënda, qeveria miratoi një sërë masash për mbledhjen e armëve, duke përfshirë një periudhë amnistie prej 30 ditësh, gjatë së cilës pronarët e paligjshëm mund t’i dorëzojnë armët pa u ndëshkuar. Një rregull i parashikuar tashmë në 4 raste të tjera, por që nuk ka dhënë kurrë rezultate të mëdha.

Disa ditë më parë policia tregoi më shumë se 13 mijë armë tashmë të “falura” nga popullata, duke përfshirë granata dore dhe raketahedhëse anti-tank, të cilat do të merren në dorëzim nga ushtria serbe. Por artileria e dorëzuar këtë javë, duket se është vetëm maja e ajsbergut në një vend që sipas “New York Times”, renditet i treti në botë për posedimin e armëve për çdo 100 banorë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Jemenit.

Serbia ka një problem endemik me zotërimin e armëve që mban me vete nga lufta dhe masat e qeverisë, të cilat tashmë janë testuar, duket se nuk janë receta e duhur për zgjidhjen e problemit. Edhe pse menaxhimi i komunikimit publik nga Vucic në këtë rast nuk ishte më i miri: pas sulmit të parë ai shpërndau ​​një sërë informacionesh në lidhje me jetën private të familjes së autorit, të cilat nuk kishin lidhje me vrasjet.

Dhe kjo nuk ka ndihmuar në qetësimin e situatës. Pastaj udhëheqësi populist serb gaboi në  reagimin e tij edhe pas sulmit të dytë, duke e cilësuar atë si terrorist, për shkak të këmishës me numrin 88 (numri që i atribuohet nazizmit) të veshur nga vrasësi.

Në realitet, më vonë doli se bluza ishte një kujtim nga një ekskursion shkollor. Komunikimi skizofrenik dhe konfuz i Vucic ndikoi në nervozizmin e popullatës. Madje kanë nisur të qarkullojnë zëra edhe për vendosjen e mundshme të dënimit me vdekje, një ide e kundërshtuar që në fillim nga kryeministrja Brnabić, sepse bie në kundërshtim me standardet evropiane.

Një menaxhim skandaloz i kësaj situate, gjë që ka nxitur opozitën dhe dhjetëra mijëra qytetarë të demonstrojnë paqësisht në Beograd dhe në qytete të tjera të vendit. Protestuesit,

të bashkuar me sloganin “Serbia kundër dhunës”, kërkuan dorëheqjen e disa ministrave të qeverisë si dhe të kreut të Agjencisë Kombëtare të Mediave Elektronike, i konsideruar si një nga fajtorët kryesorë të promovimit të përmbajtjeve të dhunshme në rrjetet televizive kombëtare.

Dorëheqjen e dha vetëm Ministri i Arsimit Branko Ružić. Protestat zgjatën për disa ditë dhe paralizuan kryeqytetin në disa vende. Kësaj situate i shtohet edhe një  artikulli i gjatë i “Neë  York Times”, që zbuloi detaje mbi marrëdhëniet e ngushta të presidentit serb me Veljko Belivuk, një personazh i njohur në Beograd në krye të një bande kriminale serbe të akuzuar për vrasje dhe trafik droge.

Një figurë që sipas NYT, ka bërë ndër vite punët e pista për Vucic, si dhe ka krijuar një  konsensus politik në botën e tifozëve të organizuar (ultrasit kanë peshë të konsiderueshme në Serbi).

Artikulli shtoi elementë specifikë për një situatë të njohur në këtë anë të Atlantikut, por mbi të gjitha e shtoi më tej presionin ndaj presidentit serb në një nga momentet më delikate që kur ai ka drejtuar vendin. Bashkimi Evropian do të vendosë nën lupë menaxhimin e kësaj faze nga lideri i një vendi kandidat për në union.

Aq më tepër pas përleshjeve të muajve të fundit, të lidhura me mungesën e sanksioneve ndaj Rusisë dhe qëndrimin jo-konstruktiv ndaj Kosovës. Nën këtë klimë, presidenti serb u detyrua të mendonte për thirrjen e zgjedhjeve të reja. Më shumë mbi këtë skenar do të mësohet gjatë Asamblesë së Partisë Përparimtare që do të mbahet më 27 maj.

Megjithatë një ditë më parë, lideri serb do të organizojë “demonstratën më të madhe të  organizuar ndonjëherë”. Vucic do të përpiqet të përkulë muskujt për t’i treguar partisë dhe vendit se populli është ende në anën e tij. Ose kështu shpreson.

Me siguri që tek udhëheqësi populist është zhdukur disi siguria që kishte. Pak më shumë se një vit më parë, Vucic u zgjodh president me mbi 60 për qind të votave. Çështja është se opozita është e fragmentuar dhe nuk është aspak e sigurt se ndonjë zgjedhje mund të deformojë ndjeshëm skenarët aktualë. /albeu.com


Shtuar 19.05.2023 14:13