Një Turqi më demokratike është e mundur

Nga Kemal Kilicdaroglu “The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë një forumi global të mbledhur në Strasburg 6 vite më parë, u bëra thirrje demokratëve të botës që të bëhen bashkë për të adresuar sfidat rajonale dhe globale. Tek e njëjta qasja jam mbështetur për politikat që kam ndjekur në vendin tim.

Bëra çmos që të bashkoja demokratët në Turqi kundër një qeverie antidemokratike dhe autoritare, dhe në fund ia dolëm të krijojmë një koalicion të madh në mbrojtje të demokracisë. Aleanca Kombëtare përbëhet nga 6 parti, përfshirë Partinë Republikane Popullore, CHP, që drejtohet prej meje.

Secila prej tyre përfaqëson një traditë të ndryshme në historinë politike të Turqisë. Si e tillë, Aleanca Kombëtare simbolizon vullnetin tonë për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore, pavarësisht dallimeve tona, duke e gjetur gjuhën e përbashkët mbi parimet universale të demokracisë liberale.

Unë s’kam asnjë dyshim se në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 14 majit do të marrim një rezultat mbresëlënës dhe do të fitojmë. Ne do të tregojmë se edhe në kushtet aktuale të padrejta dhe autoritare – me një presion të vazhdueshëm nga partia në pushtet për t’i mbyllur gojën opozitës – është i mundur një ndryshim paqësor i qeverisë nëpërmjet zgjedhjeve.

Për pasojë, Turqia do të shërbejë si një model për vendet e tjera që luftojnë kundër qeverive autoritare, sidomos në Lindjen e Mesme. Ky është një rol, të cilin ne e kemi luajtur edhe më parë. Kujtojmë këtu se themeluesi i republikës tonë, Mustafa Kemal Ataturk, ishte një frymëzim për reformatorët dhe antikolonialistët në të gjithë rajonin.

Republika Turke, e themeluar mbi parimet e laicizmit dhe vullnetit popullor, shërbeu si model për shumë njerëz që kanë luftuar për demokracinë në vendet e tyre. Një shekull më pas, është radha e brezit tonë që të luajë rolin e vet në rivendosjen e Turqisë si një model.

Pra të kemi sërish një republikë, në të cilën asnjë qytetar nuk diskriminohet, dhe ku mbrojtja e të drejtave themelore, sundimi i ligjit, shekullarizmi, transparenca dhe llogaridhënia janë shtyllat kryesore të shtetit. Në këtë republikë, do të eliminohet korrupsioni, do të minimizohet pabarazia në të ardhura, dhe politika do të përdoret për të promovuar paqen sociale dhe jo për të nxitur konfliktin dhe polarizimin.

Nga ana tjetër, politika e jashtme turke, do të udhëhiqet nga vendimmarrja racionale që i përmbahet ligjit ndërkombëtar. Kjo arritje do të nxisë erërat e ndryshimit në rajon dhe më gjerë. Natyrisht vizioni i Turqisë si një model demokratik, nuk shtrihet vetëm drejt lindjes. Shihni sot sfidat e paraqitura në Evropë nga regjimet antidemokratike, ksenofobia dhe lufta Rusi-Ukrainë, dhe bëhet e qartë se zgjedhjet tona mund të jenë një pikë referimi edhe për fqinjët tanë në Perëndim.

Një fitore në Turqi për aleancën tonë demokratike, mund të lajmërojë një fillim të ri për Evropën. Shpresoj që ajo të tregojë rëndësinë e bashkimit të demokratëve evropianë për t’u përballur me kundërshtarët e tyre. Është e domosdoshme që të gjitha partitë politike evropiane që besojnë tek të drejtat e njeriut, reduktimi i pabarazisë dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar, të formojnë një front të bashkuar përballë sfidave globale.

Në krye të listës janë ndryshimet klimatike, të cilat kanë një ndikim të madh në pellgun e Mesdheut, mbi migrimin e pakontrolluar e të paligjshëm të shkaktuar nga dështimet e sistemit ndërkombëtar të sigurisë si dhe nga pabarazitë e pasurisë globale.

Ato mund të përballohen dhe zgjidhen vetëm nga një koalicion ndërkombëtar që përfshin të gjithë spektrin politik. Fitorja jonë më 14 maj, do të rikthejë edhe orientimin perëndimor të Turqisë. Ky orientim është pasqyrimi i një ideali.

Për Turqinë, Perëndimi do të thotë demokraci, shtet ligjor, respektim të të drejtave të njeriut (sidomos ato të grave) dhe barazi. Nën udhëheqjen tonë nuk do të ketë asnjë “tjetër” në shoqërinë turke. Askush nuk do të diskriminohet për shkak të identiteteve dhe zgjedhjeve të tij politike, personale, fetare apo rajonale.

Për Turqinë, premtimi kryesor i Aleancës Kombëtare është liria, dhe ne jemi të gatshëm të mbajmë përgjegjësi për përmbushjen e tij. Orientimi perëndimor i Turqisë nuk synohet të drejtohet kundër asnjërit prej fqinjëve të saj; përkundrazi pasqyron dëshirën e vendit për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore me të gjithë ata.

Kur të mbështetet tek këto vlera të përbashkëta, Turqia do të jetë gjithmonë një anëtare krenare e Perëndimit. Në të gjitha institucionet ndërkombëtare, Turqia bën pjesë në grupimin perëndimor dhe do të vazhdojë të veprojë si e tillë. Qeveria që do të formojmë do të na afrojë me aleatët tanë perëndimorë politikisht, ekonomikisht, socialisht dhe kulturalisht.

Por kjo nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet me fqinjët e tjerë. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se ka çështje që duhet të zgjidhen mes Turqisë dhe Perëndimit, sidomos me Bashkimit Evropian. Ne e dimë se nuk mund të gjendet asnjë zgjidhje për këto probleme përmes përplasjeve publike, kërcënimeve të ndërsjella, shantazheve apo negociatave të pafundme e të pakuptimta.

Për ne është thelbësore që marrëdhëniet ndërkombëtare të zhvillohen në mënyrë racionale, dhe përmes një diplomacie dinjitoze. Ne si qeveri do të punojmë në mënyrë konstruktive për të rifilluar procesin e anëtarësimit në BE, dhe do ta angazhojmë Turqinë të respektojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ne jemi bashkuar jo vetëm për të fituar zgjedhjet, por edhe për të zgjidhur problemet themelore të Turqisë. Aleanca Kombëtare do të ndreqë të metat në politikën turke dhe do të shërojë plagët tona në mënyrë paqësore. Fitues nuk do të jenë vetëm ata që votojnë për ne, por të gjithë qytetarët turq.

Motoja e fushatës zgjedhore të Aleancës Kombëtare është “Unë të premtoj, se do të vijë sërish pranvera”, varg nga një këngë e njohur turke. Bashkimi ynë do ta përmbushë këtë zotim. Dhe përfitimet që do të vijnë nuk do të kufizohen tek kufijtë tanë, por do të shtrihen edhe në marrëdhëniet e Turqisë me Evropën, Shtetet e Bashkuara, Lindjen e Mesme, Rusinë, Kinën dhe më gjerë. Ne jemi thuajse atje. Pranvera po vjen. /albeu.com

Shënim:Kemal Kilicdaroglu, është kryetar i Partisë Popullore Republikane dhe kandidati presidencial për Aleancën Kombëtare, një grupim i 6 partive opozitare.