Arrestimi i Safet Gjicit, zbardhen 4 emrat socialistë që pritet të garojnë për bashkinë e Kukësit

Pas skandalit erotik të ish-kryetarit të bashkisë Kukës, Safet Gjici, kuksiantë do tu drejtohen sërish qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë. Por cilët do të jenë emrat e rinj të PS-së që do të garojnë për bashkinë e Kukësit? Sipas Report Tv janë4 figura që e kanë kaluar filtrin e parë të vlerësimit pozitiv në selinë roz.

Ali Hallaçi, aktualisht mban postin e prefektit të Kukësit, kandidat që përflitet brenda kampit socialist dhe strukturave vendore në zonë, për të garuar në zgjedhjet e ardhshme vendore. Hallaçi ka qenë myfti i Kukësit në vitet 2001-2010, ndërsa nga maji i vitit 2022 mban postin e prefektit.

Të njëjtat burime bëjnë me dije gjithashtu se në sitën e socialistëve do të kalojnë edhe 3 emra të tjerë. Granit Gjana, drejtuesi aktual i bashkisë, i emëruar nga Këshilli Bashkiak pasi mbante postin e nënkryetarit deri në momentin e shkarkimit të Safet Gjicit. Gjana është gjithashtu një ndër preferencat kryesore të Socialistëve.

Dy kandidatët e tjerë të mundshëm që përfliten janë, Astrit Dobrushi anëtarë i këshillit bashkiak Kukës, biznesmen, si dhe Albert Halilaj, ish-drejtor i drejtorisë së tatimeve në Kukës.

Nga burimet mësohet se drejtuesi politik i qarkut, Pandeli Majko ka zhvilluar takime me 4 kandidatët e mundshëm për garën e ardhshme
Sa i përket kampit rival, i vetmi emër i cili dëri më tani ka konfirmuar kandidimin është Admir Sinamati. Ish-rivali i Gjicit më 14 maj nën siglën e Bashkë Fitojmë tha se do të hyjë sërish në garën që pritet të zhvillohet 2 javët e para të muajit gusht. Sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor, në rast të ndërprerjes së mandatit, zgjedhjet e reja mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Njoftimi vakancës bëhet 15 ditë nga mbarimi i afatit për ankim në Gjykatën Kushtetuese, pra data 31 korrik.
Sipas procedurës së parashikuar në Kodin Zgjedhor, kryeministria fillimisht do të njoftojë institucionin e presidencës për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të bashkisë përkatëse.

Pas njoftimit zyrtar për vakancën e krijuar, Presidenti i Republikës brenda 48 orëve do duhet të marrë vendimin për një datë të re zgjedhjesh të pjesshme, e cila sipas parashikimeve kushtetuese pritet të jetë 6 gushti ose 13 gushti.

Kujtojmë se ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, u arrestua dje në lokalin poshtë shtëpisë së tij.

Gjici dha dorëheqjen të premten që kaloi pasi në internet qarkulloi një video e tij duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrën e kryetarit të bashkisë.

Video që është filmuar në zyrë dhe u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale mban datën 6 qershor 2023. Pas publikimit të saj SPAK njoftoi nisje të një procedimi penal, por pa bërë të qartë se për çfarë akuze kishin filluar hetimet.

Në një mesazh në faqen e tij në Facebook ai kërkoi ndjesë dhe pretendoi se kishte rënë pre e një kurthi./albeu.com/


Shtuar 25.06.2023 11:28