Hiqej si një trashëgimtare shumë e pasur, 28 vjeçarja bën lëmsh New Yorkun
Krijuesja e “Grey’s Anatomy”, producentja Shonda Rhimes, ka bërë bashkë emra të njohur të kinemasë për realizimin e serialit me 10 episode, “Inventing Anna”.

Shkruar nga Rhimes, në “Inventing Anna”, një gazetare (Anna Chlumsy) do të përpiqet të hetojë mbi çështjen e Anna Delvey-t (Julia Garner), e cila duke u hequr si trashëgimtare gjermane, arriti të fitonte zemrat e shumë njerëzve të pasur në Nju Jork, të cilët i mashtroi duke i vjedhur shuma të mëdha parash.

Inventing Ana” do të përpiqet të ngrejë në pikëpyetje figurën e Anna-s, ëndrrën amerikane, lidhjet e errëta për t’i dhënë përgjigje dilemës: Kush është Anna Delvey?

Kush është Anna Delvey?

Anna Vadimovna Sorokina, e lindur në vitin 1991, u transferua nga Rusia për në Nju Jork në vitin 2013. Asokohe, ajo krijoi një identitet të rremë. Hiqej si Anna Delvey dhe pretendonte se ishte një trashëgimtare e pasur gjermane.

Pasi mbaroi shkollën e mesme në 2011-n, Anna u transferua në Londër për të ndjekur shkollën e artit Central Saint Martins, por nuk e mbaroi dhe u shpërngul në Gjermani. Pasi punoi si praktikante në një firmë për marrëdhënien me publikun, u transferua në Paris ku punoi në një internship të revistës Purple. Aty, filloi ta quante veten Anna Delvey.

Anna Sorokin e ndryshonte vazhdimisht historinë e trashëgimisë së saj dhe pretendonte se kishte një fond prej 60 milionë euro në bankë, në mënyrë që të justifikonte qëndrimet në hotele luksoze. Ajo u thoshte miqve, figura të pasura në Nju Jork, se kishte vështirësi në tërheqjen e parave, në mënyrë që ata të paguanin për të.

Në vitin 2017, u arrestua. Më pas, policia vërtetoi se Sorokin arriti të vidhte gati 275,000 dollarë. Në maj të këtij viti, u tha se Sorokin do të dënohej nga 4 deri në 12 vjet burg, do të gjobitet me 24,000 dollarë si edhe e ka të detyruar të kthejë afro 199,000 dollarë.

Aktualisht, ajo është e burgosur në burgun e Bedford Hills, në Nju Jork, ku është dënuar disa herë për thyerje të disiplinës.

Seriali pritet të transmetohet në Netlix në 2020-n.
Shtuar më 10/11/2019, ora 22:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori