Eleminimi i Santiagos: I ndaluari darkoi me të dyshuarit, si doli zbuluar
Gjykata e Tiranës ditën e djeshme la në masën e sigurisë “Arrest në burg” Blendi Tetën, i arrestuar tri ditë më parë, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për vrasjen e ish-policit Santjago Malko dhe me veprimet e tij ka penguar zbardhjen e ngjarjes.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa i riu ka mohuar se ka pasur dijeni për vrasjen, por megjithatë ka treguar se ka qenë duke darkuar me personat që dyshohet se kryen krimin dhe tashmë janë në kërkim nga Policia.

Zbardhja e ngjarjes ka ndodhur nga këqyrja e kamerave të sigurisë, të cilat kanë kapur lëvizjet e autorëve në një itinerar të gjatë.

Teta është pikasur në një nga mjetet që ishte në ndjekje të makinës së Malkos, por duke iu referuar dëshmisë së tij, ai pasi ka kuptuar që do të ndodhte një ngjarje kriminale, është larguar.

I riu ishte shpallur fillimisht në kërkim policor dhe mëngjesin e së dielës, është arrestuar nga Policia e Tiranës. Prokuroria, gjatë seancës, duke iu referuar të dhënave të përfituara nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe dëshmisë së vetë Tetës, kërkoi nga gjyqtari Kastriot Gramshi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” pa afat.

Vendimi pritet të ankimohet nga Teta nëpërmjet avokatit të tij, i cili kërkoi nga Gjykata caktimin e një mase më të butë, duke thënë se ai do të bashkëpunojë me hetuesit dhe se nuk kishte dijeni se do të kryhej një krim.

Vrasja e ish-policit Santjago Malko ndodhi mbrëmjen e 28 gushtit në zonën e Kinostudios. Malko ka qenë polic vetëm 3 muaj dhe më pas është larguar nga detyra, ndërsa dyshohet se ka pasur lidhje me persona të botës së krimit.

Ndërkohë që dëshmia e Blendi Tetës, i cili akuzohet për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës” ka ndihmuar shumë për zbardhjen e ngjarjes, Prokuroria e Tiranës është duke hetuar në disa drejtime për të gjetur motivin e vrasjes së 26-vjeçarit.

Rreth tri vite më parë, Malko ka qenë i përfshirë në një sherr, i cili ka ndodhur në një pikë bastesh, sherr i cili është kaluar në sitë nga Prokuroria. Ndërkohë, pas përfundimit të këqyrjes së pamjeve filmike, kanë ardhur edhe arrestimet e para.

Malko kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës. I riu nga Lushnja ishte i martuar me ish-efektiven e Njësisë “Shqiponja”, Dea Riçku, me origjinë nga Dibra, dhe së bashku kishin dy fëmijë, një vajzë 3 vjeçe dhe djalin 14-muajsh.

Shtuar më 17/09/2019, ora 08:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori