Lirimi i tre policëve të Kosovës, Berisha: Të zbardhet e vërteta dhe të ndëshkohen organizatorët

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas lirimit të tre policëve në Kosovë.

Në një deklaratë për mediet deklaroi se policët janë liruar me vendim politik.

Ai falënderoi qeverinë e SHBA-së, BE-në dhe NATO-n gjithashtu dhe kryeministrin e Hungarisë të cilët kërkuan lirimin pa kushte dhe të menjëhershëm të policëve shqiptarë të Kosovës.

Ai kërkoi zbardhjen e së vërtetës dhe ndëshkimi i organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij akti.

Berisha: Një akt i paprecedentë që nga vitet ’50 gjer sot, pra i pa precedentë dhe në kohët e Ballkanit të diktaturave komuniste, siç ishte rrëmbimi në territorin e Kosovës, i tre anëtarëve të Policisë së Kosovës, u zgjidh.

Tre anëtarët e Policisë së Kosovës, me një vendim politik të urdhëruar Gjykata e Kralevës i liroi ata. Me këtë rast, dua të falënderoj shumë, qeverinë e SHBA-së, BE-në, NATO-n dhe kryeministrin e Hungrisë, Viktor Orban të cilët kërkuan lirimin pa kushte dhe të menjëhershëm të policëve shqiptarë të Kosovës.

Sigurisht që lirimi i tyre, ishte një vendim në drejtimin e duhur, por zbardhja e të vërtetës, mbi këtë akt dhe ndëshkimi i organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij akti, të pashembullt them dhe njëherë, nga vitet ’50 gjer sot, është i domosdoshëm në mënyrë që histori të tilla, të mos mund të përsëriten më.

Nga ana tjetër, unë u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës, duke mbështetur plotësisht të drejtën e tyre për vendosjen e ligjit, të rendit dhe të sigurisë në të gjithë territorin e tyre, të bëjnë çdo përpjekje për ç’përshkallëzimin dhe shtensionimin e situatës, rikthimin tek dialogu dhe marrëveshja e Ohrit.

Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë, se marrëveshja, natyrisht e mirë është interesi më i madh i Kosovës, dhe kombit shqiptar. Marrëveshja nuk i intereson Aleksandër Vuçiç, nuk intereson Serbisë. Ndaj dhe në këtë kuadër, përpjekjet e mëdha, të muajve të fundit, japin shpresë se mbi bazën e dokumentit të Ohrit, apo planit franko-gjerman, të arrihet me vullnet një marrëveshje e cila ka si objektiv normalizmin e marrëdhënieve dhe më vonë, njohjen reciproke./Albeu.com/ 


Shtuar 26.06.2023 12:34