Masakra në “Don Dosko”, flet pronari i servisit në Gjermani: Si i vodhi “ushtari” i Ervis Martinajt targat, Sherrniku u pikas nga punëtori sirian

Nikoll Sherrniku doli ditën e djeshme para Gjykatës ku u njoh me masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Prokuroria dyshon se ai është personi që ndihmoi autorët e masakrës së Don Boskos.

Sherrniku akuzohet se siguroi në Gjemrmani target gjermane për makinën e personave që morën pjesë në atentatin ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja. Kjo e fundit punonte në lokalin e Fation Muratit.

Gazmend Jakupi, shqiptari nga Kosova, pronar i servisit në Gjermani ku Sherrniku vodhi targat ka folur për mediet.

Në një intervistë për Report Tv, Jakupi tregoi se miku i Ervis Martinajt është parë nga njëri prej punëtorëve të tij nga Siria, i cili e kishte vërejtur duke vjedhur diçka, që më vonë rezultoi se ishin targa që u përdorën në atentatin e 13 marsit në Don Bosko.

“Ai ka ardhur për të blerë makinë në servis dhe i ka vjedhur targat në oborrin tonë. Ne targat që dalin nga përdorimi i mbledhim në një vend dhe më pas i shesim për hekura për t’u shkrirë dhe me paratë e tyre hamë mëngjes ose drekë me punëtorët. Nikoll Sherrniku ka ardhur një ditë me një shok të tij në 2020-ën, nuk e di se nga ka qenë ai tjetri, dhe unë nuk kam pasur makinë për të shitur në atë kohë. Brenda i ka parë targat në një qoshe ku ne i tubojmë dhe një punëtor i imi i Sirisë e ka vërejtur. Unë nuk kam qenë aty, por më vonë më ka treguar punëtori sirian që ka punuar për mua 3 vite, se diçka ka marrë, me shumë mundësi targa, dhe në fakt kështu rezultoi”, deklaron Jakupi.

Sherrniku, i cili mori targat që t’ia sillte Ervis Martinajt në Tiranë nuk ka qëndruar më shumë se 20 minuta në servisin e Jakupit.

“Sherrniku ka ardhur vetëm një herë, unë edhe nëse e shoh nuk e njoh. Në bazë të asaj çfarë ka treguar punëtori, dy ose tre targa ka vjedhur, nuk jam i sigurt për më shumë. Ka qëndruar 15 deri në 20 minuta në servisin tim”, vijon Jakupi.

Gazmend Jakupi nuk ka asnjë njohje me Nikoll Sherrnikun, ai nuk e ka takuar asnjëherë vetë personalisht.

“Unë nuk e njoh atë, nuk i kam pasur as numër telefoni, këtu tek servisi im vijnë shumë njerëz. Policia e Shqipërisë na ka gjetur në bazë të targave, ajo që është përdorur në krim ka qenë në emër të një punëtori tonë. Sistemi në Gjermani është sipas rregullave dhe targa të tilla i hedhim pasi dalin nga përdorimi, por pothuajse të gjithë serviset e makinave në Gjermani i përdorin për t’i shitur për një mëngjes me punëtorët”, vijon më tej pronari i servisit.

Targat e makinës që vodhi në Gjermani Nikoll Sherrniku i solli në Shqipëri dhe ia dorëzoi Ervis Martinajt. Të njëjtat u përdorën në 12 mars 2023 në atentatin ndaj lokalit të Fatjon Muratit ku mbeti e vdekur Mimoza Paja dhe u plagosën 6 të tjerë. Nikoll Sherrniku u la në “arrest në burg” nga gjykata. Ai rezulton i arrestuar në gusht 2022 pasi në makinë iu gjet një kallashnikov në Kune të Lezhës./Albeu.com/