Arritje e jashtëzakonshme, mjekët italianë i rikthejnë shikimin të moshuarit pas 20 vitesh

Dita e sotme shënon një arritje të jashtëzakonshme në fushën e oftalmologjisë. Sipas shtypit italian, falë një auto-transplanti të të gjithë sipërfaqes së syrit, një 83 vjeçar arriti të rifitonte pjesërisht shikimin. I moshuari i verbër nga Torino iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale më të rëndësishme të jetës së tij dy javë më parë dhe rezultati ishte një mrekulli e vërtetë. Ai u operua nga kirurgët Michele Reibaldi dhe Vincenzo Sarnicola dhe operacioni zgjati katër orë. Mund të themi se kjo ndërhyrje është e para në botë e llojit të saj.

Pacienti ka qenë plotësisht i verbër prej 20 vitesh. Ai humbi shikimin në syrin e majtë për shkak të një problemi në retinë dhe në syrin e djathtë për shkak të dy sëmundjeve shoqëruese.

83-vjeçari tani ka rifituar shikimin në syrin e djathtë, ku i është përdorur një pjesë e materialit nga syri i majtë, i cili ndonëse paraqiste probleme funksionale kishte ruajtur një sipërfaqe të shëndetshme. Tani, dy javë më vonë ai arrin të dallojë objektet që lëvizin dhe të njohë fytyrat. Pacienti tha për gazetarët: “Mund të shoh gishtat dhe duart. Më duket sikur kam rilindur.”