Basha po mbetet "fillikat", e braktis një tjetër aleat
Pavarësisht se tri parti opozitare kanë paraqitur kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për nisjen e procedurave për organizimin e zgjedhjeve vendore në 13 tetor, brenda saj janë skeptikë nëse ato do të mbahen. Një prej tyre është edhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili shprehet se nuk ka besim se zgjedhjet vendore do të mbahen në 13 qershor.

Sipas tij kjo bëhet e pamundur për shkak se qeveria qeveris në kushtet e një grushti shteti dhe ku KQZ si vegël e saj nuk pranon të zbatojë Kushtetutën. Gjithsesi ndryshe nga sa deklaronin gati dy muaj më parë duket se e gjithë opozita ka hequr dorë nga kushti që kishte që nuk do të futej në zgjedhje me Ramën kryeministër. Sipas Ndokës opozita është e gatshme që të futet sot në zgjedhje me apo pa Ramën kryeministër.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje në çdo datë me këtë dhe pa këtë kryeministër, por nuk është morale as politike t’i besosh organizimin e zgjedhjeve një kryeministri që është kapur duke i vjedhur dhe blerë ato, me ministrat dhe deputetët e tij së bashku me grupet kriminale”, – shprehet Ndoka. Sa i përket aksionit opozitar kryedemokristiani thekson se ai ishte i suksesshëm, sepse e bëri popullin që të mos besojë më te qeveria dhe ta shohë të djathtën si shpresë për të ardhmen.

“Unë besoj shumë se opozita është kthyer në mazhorancë shprese, pikërisht nga kjo rrugë që ndërmori. Kemi fituar qytetarët, kemi humbur pushtetin, do fitojmë standardet dhe do të kthehemi serish në institucione nëpërmjet votës së lirë. Kjo është rruga me parimore, qe një lider dhe opozitë ka ndjekur në pluralizëm”, – tha Ndoka.

Ndoka nuk beson se zgjedhjet do të zhvillohen me 13 tetor, sepse, sipas tij kjo mazhorancë po qeveris në kushtet e një grushti shteti institucional. KQZ nuk zbaton ligjin e Kushtetutën, por urdhrat politikë të kryeministrit. Gjykatat janë në kaos total dhe në mjerimin më të madh që sistemi i drejtësisë ka patur ndonjëherë. Qeveria dhe Kuvendi nuk njohin institucionin e Presidentit, KQZ nuk zbaton dekretin, në këto kushte zgjedhjet janë totalisht të minuara dhe të pamundura për t’u realizuar.

Sipas Ndokës, Basha është i gatshëm të hyjë që nesër në zgjedhje, por standardet e zgjedhjeve dhe vota e lirë është kauza që ai po mbështet si premtim tashmë të dhënë përpara kombit, botërisht.
Shtuar më 05/08/2019, ora 18:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori