Rama në Shkodër, viziton Muzeun e Memories: Këtu duhet të rikonceptohet komplet

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Shkodrën dhe ndalesën e parë e bëri pikërisht në Muzeun e Memories, ku i shoqëruar nga Kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, si dhe drejtuesi i Institucionit Pjerin Mirdita vizitoi mjediset e brendshme të ish-burgut, ku gjatë viteve të diktaturës janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjerë, mes tyre dhe klerikët At Zef Pëllumbi, Imzot Ernest Çoba, At Benardin Palaj, përfaqësues të tjerë të besimit klerik, si dhe qytetarë të njohur nga Shkodra e më gjerë.

Rama tha se është momenti për të ndërhyrë përmes një investimi në infrastrukturën e Muzeut, për t’u pasuruar me materiale të reja, të ndërthurura në mënyrë më interesante, sa i përket ekspozimit të tyre.

“Ka nevojë për një rishikim, por edhe për t’i bërë një ndërhyrje si në syrin e muzeut të Marubit, sepse besoj se ka shumë mundësi që të bëhet akoma më mirë, sidomos kjo pjesa e hyrjes që mund të ketë më shumë figurat e personave të persekutuar, familjeve, me fotografi autentike. Mund të bëhet diçka shumë spektakolare. Ne nuk kemi asnjë muze tamam për persekutimin e fesë, për shembull dhe Shkodra është djepi në kuptimin e zjarrit që u ndez për të persekutuar fenë, plus edhe elementët e tjerë që kanë të bëjnë me qytetin. Jo thjesht klerikët, por edhe familjet, histori lokale dhe mund të jetë shumë interesante. Edhe me pjesën e dëshmitarëve, mund të bëhet arkivimi. Mund të jetë një gjë që është në proces, dëshmi. Mund të bëhet me këta që janë akoma gjallë, të merrni intervista, të digjitalizohen,mund të bëhen me kamera, nëpër qeli, me film. Pjesa e qelive është shumë spektakolare, por ka nevojë të ndërhyhet. Do një investim patjetër, duhet të bëjmë një projekt të mirë. Fati i madh këtu është që hapësira është.

Këtu duhet të rikonceptohet komplet. Historinë e persekutimit dhe të fesë ne nuk e kemi në asnjë vend të përmbledhur dhe ky është vendi. Këtu ke gjithë hapësirën. Edhe biblioteka mund të pasurohet.“  sugjeroi Kryeministri Rama


Shtuar 19.05.2023 15:10