Xhavit Jashari nuk paraqitet në gjykatë, zbardhet largimi i tij në Austri
Mungesa e dy të akuzuarve ka bërë që trupi gjykues ta veçoj lëndën për dy të akuzuarit të cilët munguan në seancën e sotme në rastin e ‘fryrjes së listave të veteranëve të UÇK-së’.

Kësaj radhe të pranishëm nuk ishin të akuzuarit Ahmet Daku e Xhavit Jashari, ndaj të cilëve trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësja Nushe Kukaj – Mekaj e veçoi procedurën.

Lidhur me të akuzuarin Xhavit Jashari, gjykatësja e rastit Nushe Kukaj-Mekaj, lajmëroi të pranishmit se i akuzuari ka qenë i ftuar për seancën e sotme sipas procesverbalit nga seanca e kaluar dhe se për të njëjtit person me emrin Ramiz Rama, Gjykatës i ka dorëzuar një shkresë dhe ka kërkuar takim me kryetaren e trupit gjykues, por që ky takim asnjëherë nuk është bërë për shkak se personi në fjalë asnjëherë nuk është paraqitur në Gjykatë.

Përmes kësaj kërkese ai ka lajmëruar se i akuzuari Xhavit Jashari ka udhëtuar urgjentisht për shtetin e Austrisë për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore së një familjari.

Lidhur me këtë informacion, Gjykata ka kërkuar informata shtesë nga Aeroporti i Prishtinës me ç’rast është vërtetuar se i akuzuari ka udhëtuar jashtë vendit.

Lidhur me këto mungesa të cilat Gjykata i ka cilësuar si të pa arsyeshme, gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj ka kërkuar pëlqimin e palëve për veçimin e procedurës penale ndaj të pandehurve të cilët mungojnë.

Të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre e kundërshtuan propozimin që të veçohet procedura penale.

“Në rastin e cekur kemi të bëjmë me veprën penale në bashkëkryerje dhe meqë të pandehurit kanë qenë të njoftuar për datën e mbajtjes së seancës gjyqësore atëherë kërkoj që Gjykata të veproj në bazë të kodit të procedurës penale që të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe jo të veçohet procedura penale”, tha prokurori Valdet Gashi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Ceku, avokati Ramë Gashi tha se: “Edhe në fjalën e juaj thatë se është një lëndë që ka më shumë persona të akuzuar pra gjithsej 12, të gjithë ne që merremi me këtë punë e dimë që në raste të tilla paraqiten komplikime procedurale janë të pritura dhe nuk është çudi, nuk është kjo lënda e parë që paraqiten këto vështirësi. Si mbrojtës në këtë çështje penale dua të përcjell bindjen time të Gjykatës se nga pikëpamja e mbrojtjes këto vështirësi në masë të madhe edhe janë të arsyetuara. Pra është e arsyetuar sipas mbrojtjes edhe mungesa në seancën e kaluar por edhe për seancën e sotme. Ne sot dëgjuam se njëri nga dy të akuzuarit që mungon në seancën e sotme në bazë të shënimeve të verifikuara nuk qenka prezent në vend dhe se Gjykatën e paska njoftuar për mungesën e tij. Besoj se kjo duhet të vlerësohet nga Gjykata dhe dua të them me plotë bindje se nuk kemi një bindje të zakonshme që duhet të shprehim nguti në këtë lëndë nuk kërcënohet ndonjë ndryshim ligjor, parashkrimi apo diçka tjetër”.

Avokati Gashi tha se një prej të drejtave bazike si e drejt ligjore dhe si e drejtë e paraparë me kodin e procedurës penale është që i pandehuri kush do qoftë ai në seancë duhet të marrë pjesë kur mundet dhe është në gjendje të mirë kondicionale. “Veprimin e prokurorit e konsideroj të ngutshëm dhe të pabazuar për veprimin e Gjykatës në rastin konkret kjo për arsye se së paku për njërin nga të akuzuarit që sot mungon kemi arsye të besueshme se mungesa është me arsye”, tha avokati i të akuzuarit Agim Çeku, Ramë Gashi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci tha se: “Nëse dikush ka interes që ky gjykim me përfundu sa më shpejtë janë vetë të akuzuarit. Secili prej tyre e di se janë të pafajshëm e nëse dikush e ka zvarritë këtë proces është prokuroria me ato aktakuza të përmirësuara, e kundërshtoj fuqishëm këtë masë”.

Pas marrjes së pëlqimit të palëve, Gjykata konsideroi se janë plotësuar kushtet ligjore për veçimin e procedurës penale.

“Marrë parasysh se kemi të bëjmë me një numër të madh të të pandehurve, për shkak se kemi shumë të akuzuar dhe me qëllim që të mos prolongohet kjo çështje penale marrë aktvendim që të veçohet procedura penale ndaj Xhavit Jasharit dhe Ahmet Dakut”, deklaroi gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj.

Aktakuzën ndaj 12 të akuzuarve, anëtarë të Komisionit Qeveritar për përcaktimin e statusit të veteranit, do ta përfaqësojnë dy prokurorë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashi dhe Enver Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penaleakuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Ndryshim Gjykata ka kërkuar edhe në kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale, gjykatësja e rastit Nushe Kukaj-Mekaj kishte thënë se do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër pasi që sipas saj ekziston rreziku i zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

Arsyeja e një zvarritjeje të tillë sipas Gjykatës është se nëse lejohet masa e sigurisë vendimi duhet t’u dërgohet 20.238, veteranëve, që janë të prekur nga kjo masë e që kanë të drejtë ankese, për të cilat duhet të vendos kolegji prej tre gjyqtarëve, dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të ankesave që do të paraqiteshin, procesi gjyqësor do të zvarritej deri në pakufi.
Shtuar më 14/03/2019, ora 11:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori