Zgjedhjet në veri të Kosovës, Sveçla nga Mitrovica: Situata e qetë, policia është e përgatitur për siguri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se është në Mitrovicë për ta përcjellur nga afër situatën e sigurisë në veri, kur po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Lepozaviq e Zubin Potok.

Sveçla tha në një lidhje direkte për televizionin publik se nuk ka incidente dhe se presin që dita të përfundojë e qetë.

“Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën sa i takon çështjeve të sigurisë. Situata është stabile, e qetë. Nuk kemi incidente dhe presim që dita të përfundojë e qetë”, tha Sveçla.

Ministri tha se “këto zgjedhje janë më ndryshe për shumë arsye”, edhe sa i takon aspektit të sigurisë.

“Për dallim prej më herët, nuk ka incidente”, tha ai.

Sveçla tha se ditët e fundit qytetarëve serbë u është bërë “presion i hatashëm që të mos dalin në zgjedhje”.

“Por përndryshe sot nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës”, tha Sveçla.

Ai tha se presin që të rritet numri i qytetarëve që do ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.

Lidhur me lokacionet e reja të votimeve, Sveçla tha se bashkë me KQZ-në është vlerësuar “se zgjidhja më e mirë është të gjejmë hapësira alternative”.

“Kjo nuk do të thotë pamundësim të pjesëmarrjes në votime”, tha ai.

“Edhe kushtet e punës janë mëse komode. Edhe për votuesit vendvotimet janë të identifikuara dhe nuk shoh ndonjë problem të veçantë”, shtoi Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme tha se “Policia e Kosovës kurrë s’ka qenë më e përgatitur” për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët./express