Yuri Kim lë Shqipërinë, niset drejt Uashingtonit, Ambasada Amerikane i jep lamtumirën

Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dhënë lamtumirën ambasadores Yuri Kim, teksa ajo niset drejt Uashingtonit, pas përfundimit të detyrës së saj në Shqipëri.
Stafi i dhuroi ambasadores një flamur të veçantë shqiptar dhe një album fotografik nga këto tre vjet e gjysmë të saj në Shqipëri.

Gjithashtu Detashmenti i Gardës së Marinës të Shteteve të Bashkuara i dhuroi ambasadores flamurin amerikan që valonte nga shtiza e flamurit të ambasadës.
Yuri Kim do të zëvendosohet nga diplomati David J. Kostelancik, i cili aktualisht mban pozicionin e drejtorit në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Yuri Kim mori votëbesimin si ambasadore e SHBA në Tiranë nga senati amerikan në 29 nëntor 2019. Ajo zbriti në Tiranë në 22 janar të 2020. Tashmë ajo është në përfundim të mandatit të saj.

Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme, shkruan albeu.com. Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Poëell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën.

Postimi i plotë

Lamtumirë Ambasadore Kim!

Komuniteti i ambasadës u mblodh këtë javë për t’i thënë lamtumirë Ambasadores Yuri Kim teksa ajo niset nga Shqipëria për detyrën e saj të radhës në Uashington DC. Stafi amerikan dhe shqiptar ndanë vlerësimet për ambasadoren për përpjekjet e saj për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, udhëheqjen e saj dhe për dhembshurinë dhe kujdesin e saj për punonjësit e Ambasadës së SHBA në Tiranë. Stafi i dhuroi ambasadores një flamur të veçantë shqiptar dhe një album fotografik nga këto tre vjet e gjysmë të saj në Shqipëri. Detashmenti i Gardës së Marinës të Shteteve të Bashkuara i dhuroi ambasadores flamurin amerikan që valonte nga shtiza e flamurit të ambasadës.


Shtuar 25.06.2023 10:44