Askush nuk do ta fitonte një luftë të gjatë në Ukrainë: Perëndimi të shmangë gabimet që çuan në Luftën e Parë Botërore

Nga Vladislav Zubok “Foreing Affairs”

Në nëntor, gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së SHBA-së, tronditi kryeqytetet perëndimore kur deklaroi se lufta në Ukrainë nuk mund të fitohet vetëm me mjete ushtarake. Ai tha se Ukraina ndodhet tani në një pozicion më të favorshëm, dhe se ky dimër mund të jetë momenti për të shqyrtuar nisjen e bisedimeve për paqe me Rusinë.

Po kështu ai kujtoi Luftën e Parë Botërore, kur refuzimi i palëve ndërluftuese për të negociuar çoi në miliona vdekje të tjera, duke sugjeruar se dështimi për të “kapur” momentin mund të çojë në vuajtje njerëzore akoma më të mëdha.

Qëndrimi i tij sfidoi jo vetëm qasjen e Kievit, por edhe atë të shumë prej mbështetësve të tij perëndimorë, përfshirë Poloninë, vendet baltike, Amerikën e Veriut dhe Britaninë e Madhe, të cilat i kanë mbështetur përpjekjet e Ukrainës për një fitore të plotë në fushën e betejës.

Siç argumentoi kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallasar, në një artikull të botuar së fundmi në këtë revistë “rruga e vetme drejt paqes është dëbimi i Rusisë nga Ukraina”.

Humbja e Rusisë në këtë luftë, anëtarësimi i Ukrainës në NATO, ndjekja penale e lidershipit politik dhe ushtarak të Rusisë për krime lufte, dhe pagesa e dëmeve janë thelbësore për paqen, përfundon ajo. Edhe plani i paqes me dhjetë pika i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i prezantuar në nëntor, ka të njëjtën qasje.

Por edhe deklaratat e Milley ishin të diskutueshme, ato nxorën në pah një problem akoma më të madh që mund të lindë nga synimi për fitoren e plotë. Kjo e fundit mund të kërkojë një luftë shumë të gjatë, dhe nënkupton gjithashtu se kohëzgjatja e saj do të varej nga faktorë politikë të cilët janë jashtë kontrollit të Perëndimit.

Për ata që bëjnë thirrje për fitore të plotë, Perëndimi duhet të vazhdojë ta furnizojë Ukrainën me armët dhe burimet që i nevojiten për të vazhduar luftën, të presë që Rusia të humbasë, dhe në mënyrë ideale që Putini të largohet nga pushteti. Por një luftë e gjatë shkatërruese ka qenë tashmë jashtëzakonisht e dëmshme për Ukrainën dhe Perëndimin, ashtu si edhe për Rusinë.

Mbi 6 milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga vendi, ekonomia e Ukrainës është në rënie të lirë, dhe shkatërrimi i madh i infrastrukturës energjetike të vendit kërcënon një katastrofë humanitare këtë dimër. Edhe tani, Kievi është në prag të kapitullimit, duke i kryer operacionet e tij vetëm falë miliarda dollarëve ndihma nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Kostot e energjisë në Evropë janë rritur shumë për shkak të ndërprerjes së dërgesave të zakonshme të naftës dhe gazit nga Rusia. Ndërkohë, pavarësisht pengesave të konsiderueshme, forcat ruse janë rigrupuar dhe nuk janë mposhtur ende.

Rezultati më i besueshëm për Ukrainën do të ishte tërheqja e forcave ruse në linjat e kontrollit që ekzistonin përpara pushtimit të shkurtit. Por edhe nëse rusët rikthehen në statuskuonë e vjetër, shumë ukrainas kanë frikë se Moska vetëm sa do të rigrupohet, duke pritur mundësinë e radhës për të pushtuar sërish.

Nuk është aspak e qartë nëse për të siguruar paqen do të mjaftonte parandalimi ushtarak. Për këtë arsye ajo që mungon është një plan politik koherent për t’i dhënë fund vuajtjeve, dhe për t’i siguruar ukrainasit se Rusia nuk do të nisë një luftë të re në rastin më të parë, edhe nëse Putini mbetet në pushtet.

Kjo do të kërkojë që rusët të pranojnë një lloj disfate, por edhe që ukrainasit të pranojnë se fitorja e plotë mund të jetë e paarritshme. Për t’i arritur këto qëllime, popujt në Perëndim duhet ta pranojnë fundin e statusit të Rusisë si një vend i izoluar dhe problematik dhe “rikthimin e saj në Evropë”, dhe njëherazi t’i ofrojnë Kievit garanci të besueshme sigurie.

Pra, Perëndimi duhet të formulojë një vizion të madh politik, që e shmang dëshirën e Ukrainës dhe mbështetësve të saj më të vendosur për ta shkatërruar dhe neutralizuar Rusinë. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre nuk arrijnë të hartojnë një plan të tillë, shanset për skenarin e Milley do të rriten:një luftë rrënuese, rreziku i përshkallëzimit dhe katastrofës dhe një pasojë shumëdimensionale negative e kësaj lufte.

Shumë analistë parashikuan se tregtia dhe industria ruse do të rrënoheshin nga pesha e sanksioneve të vendosura nga qeveritë perëndimore. Një presion i tillë ekstrem ekonomik, mund të mjaftonte për ta detyruar Moskën të tërhiqej nga Ukraina. Por rrallëherë presioni ekonomik është i mjaftueshëm për t’i dhënë fund një lufte.

Gjatë Luftës së Ftohtë, sanksionet nuk e detyruan Moskën të tërhiqej nga Evropa Lindore, dhe nuk ka gjasa ta detyrojnë sot Rusinë të tërhiqet nga Ukraina. Putin i ka marrë masat që të mbetet nën kontrollin e fortë të ushtrisë, shërbimeve të sigurisë dhe popullatës ruse.

Për momentin, shumica e rusëve vazhdojnë të mbështesin qeverinë ruse dhe nuk janë gati të pranojnë humbjen. Shumë prej tyre e konsiderojnë Krimenë dhe fortesën e saj Sevastopol si të vlefshme për të luftuar. Dhe për shumë njerëz, Putin mbetet garantuesi i sovranitetit dhe stabilitetit rus.

Rusët e zakonshëm kanë pranuar shpjegimin e qeverisë së tyre se sanksionet perëndimore u vendosën për të shtypur popullin rus. Duke pasur parasysh këtë dinamikë të ndërlikuar brenda Rusisë, nuk ka gjasa që humbjet ushtarake të jenë të mjaftueshme për ta detyruar Kremlinin të kërkojë paqe.

Por qasja aktuale e Perëndimit për ta lënë luftën të vazhdojë, edhe pse moralisht e kënaqshme dhe politikisht popullore, është e rrezikshme. Pasi i nënshtron ukrainasit ndaj tmerreve të vazhdueshme të konfliktit. Numri i të vdekurve dhe kostoja financiare e luftimeve do të vazhdojë të rritet.

Për më tepër, ajo ushqen narrativën e Putinit se Rusia është në një betejë ekzistenciale me Perëndimin, dhe inkurajon besimin e nacionalistëve rusë se Rusia ose duhet të fitojë ose të humbasë. Denoncimet perëndimore për krimet e luftës të Rusisë nuk do të mjaftojnë për të ndryshuar mendjet ruse. Elitat ruse dhe shumë rusë të zakonshëm besojnë se është në interesin e tyre më të mirë që të mblidhen rreth flamurit.

Sigurisht, ndryshimi politik në një sistem autokratik mund të jetë i shpejtë dhe i plotë. Me shtimin e humbjeve dhe me një mobilizim të mëtejshëm, miliona rusë mund të fillojnë ta fajësojnë Putinin, ashtu si paraardhësit e tyre fajësuan Carin Nikolla dhe Mikhail Gorbachev. E kombinuar me një krizë morali, apatie dhe rraskapitjeje midis trupave, një ndryshim i tillë në opinionin publik mund të gjenerojë një krizë politike. Dhe ai duhet të ishte momenti kur elitat politike ruse do të duhej të vendosnin nëse do të bënin kompromis me Perëndimin apo do të luftonin deri në fund.

Në nëntorin e vitit 1918, Katërmbëdhjetë Pikat e presidentit amerikan WoodrowWilson e bindën udhëheqjen gjermane se do të trajtoheshin në mënyrë të drejtë, dhe i bindi ata të pranonin një armëpushim. Ai kompromis i dha fund Luftës së Parë Botërore. Pranimi i propozimeve të Wilson u nxit edhe nga dobësia e ushtrisë gjermane dhe vetëdija e udhëheqësve të saj se lufta ishte e humbur.

Në vend se të lejonin asgjësimin e plotë të ushtrisë dhe pushtimin e vendit të tyre, ata i pranuan kushtet e Wilson, të cilat premtonin të mos e ndëshkonin Gjermaninë. Kjo është qasja që duhet të ndjekë sot Perëndimi. Ai duhet të jetë i përgatitur t’i ofrojë elitave ruse dhe popullatës një marrëveshje që përshkruan në detaje se si ata mund t’i japin fund izolimit të tyre, të çlirohen nga sanksionet dhe të heqin statusin e vendit si një shtet i izoluar dhe i përbuzur.

Ajo duhet t’ia nisë me shpjegimin e rreziqeve të vazhdimit të luftës. Duhet ta bëjë të qartë se Rusia nuk mund ta fitojë atë. Se armët që dërgohen në Ukrainë nga Perëndimi janë superiore dhe forcat e saj ukrainase janë të vendosura të mbrojnë vendin e tyre. Plani duhet të shpjegojë se Rusia rrezikon të degradojë në aspektin ekonomik; duke u bërë një vasale e dobësuar e Kinës.

Po ashtu duhet të përshkruajë përfitimet që do të ketë Rusia nëse zgjedh rrugën e de-përshkallëzimit. Së pari, zotimin që do të respektohet sovraniteti dhe integriteti i Rusisë pas paktit për paqe me Ukrainën. Së dyti, se qeveritë perëndimore do të njohin dhe respektojnë udhëheqjen e Rusisë, me kushtin që Moska t’i bindet me rigorozitet Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar, si dhe të respektojë traktatet ndërkombëtare të Rusisë, marrëveshjet dhe angazhimet.

Së treti, Perëndimi duhet të përcaktojë një afat kohor për kthimin e aseteve financiare të ngrira të Rusisë pasi të plotësohen kërkesat për çmilitarizimin dhe tërheqjen. Së fundi, pas përfundimit të luftës, do të hiqen të gjitha pengesat ekonomike ndërkombëtare. Deri më tani, Perëndimi ka përdorur vetëm “shkopinj” për të detyruar Rusinë të ndalojë luftën. Tani ka ardhur koha që të përdoren edhe disa “karrota”.

Marrë me shkurtime

Shënim: Vladislav Zubok, profesor i historisë ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Londrës. Ai është autori i librit “Kolapsi:Rënia e Bashkimit Sovjetik”.

/albeu.com


Shtuar 22.12.2022 08:43