Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti dhe Vuçiç në prill do të takohen në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan më 4 prill, përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.

Këto komente Kurti i bëri pas pjesëmarrjes së tij në konferencën “Strategjia e e-Qeverisjes në funksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Formulimi është ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi i cili është dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra, edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat e pagjetur të zhdukur që mungojnë gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë”, tha ai.

Sa i takon draftit të Statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shefi i ekzekutivit kosovar tha se fillimisht do t’i analizojnë rezultatet e takimit të zhvilluar në Bruksel, gjatë kësaj jave.

Ai konfirmoi se gjatë muajit prill do të ketë një takim të nivelit të lartë në Bruksel.

“Ne do të analizojmë më zëvendëskryeministrin Bislimi rezultatet nga takimi i zhvilluar në Bruksel dhe mandej do të përcaktojmë një ecje përpara për muajin prill, brenda të cilit do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë. Theksoj se duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja dhe në kuadër të marrëveshjes, kemi një nen që është i 10 dhe është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme por si një çështje urgjente është çështja e të pagjeturve”, tha ai.

Zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviç të martën nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilluan takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.