Java e dytë për rikonstruimin e Qeverisë maqedonase, ironizon VMRO: Taravari në koalicion do të ndryshojë emrin në Aleanca për Grubin

Nisi java e dytë të debatit të Kuvendit për rikonstruimin e Qeverisë, ku pjesë e shumicës parlamentare po bëhet Aleanca për Shqiptarët, ndërsa Alternativa largohet nga kabineti qeveritarë. Deputetët po debatojnë për shkarkimin e Ministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti, megjithatë shumë pak po flitet për këtë. Jovan Jaulleski nga VMRO-DPMNE thotë se kjo është vetëm përpjekje për shpëtimin e Qeverisë ku, siç theksoi, kryeministër është Artan Grubi e jo Dimitar Kovaçevski.

“Kryeministër, jo Kovaçevski por Grubi, për shkak se Kovaçevski është vetëm maskotë që duhet të nënshkruaj atë që dëshiron BDI. Të marrësh Arben Taravarin në koalicion dhe t’ia ndryshosh emrin partisë në Aleanca për Artanin. E tani kur jemi te peng marrja, Maqedonia dhe qytetarët e Maqedonisë, kryeministër i parë, janë që 20 vjet peng të strukturave tuaja kriminale. Edhe shqiptarët janë peng edhe përkundër asaj që keni gojën plot me ide romantiko-nacionale dhe i gënjeni me emocione të ulëta përderisa ju po pasuroheni.”- tha Jovan Jaulleski, VMRO-DPMNE.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së janë ata që po mbajnë fjalim më së tepërmi, ndërsa është e dukshme se shumica parlamentare nuk dëshiron të hyjë në debat me qëllim që sa më shpejtë të përfundojnë ata që janë paraqitur për të folur, të cilët janë të shumtë edhe për shkarkimin e ministrit Aliti.

“Atë që po bëni është jo njerëzore. Ju një javë po ia merrni fjalën të gjithëve vetëm për shkarkimin e ministrave dhe zv.ministrave. Pse? Që të bllokoni dhe destabilizoni shtetin. Një muaj për shkak jush nuk mund të funksionojnë institucionet dhe ministritë. Të dinë qytetarët se kush po e bllokon shtetin që 2.5 vjet. Të dinë pse ministritë nuk munden tani të nënshkruajnë urdhër për paga, për shkak se tani nuk mundemi të zgjedhin ministrat. Për shkak jush. Ndaloni me këto fjalime të pakuptimta dhe që sonte të votojmë këto shkarkime.”- pohoi Daniella Kolleva, LSDM.

Përveç se për shkarkimin e ministrave Bekim Sali dhe Admirim Aliti, deputetët duhet të debatojnë edhe për shkarkimin e ministrit pa resor i angazhuar për diasporën, Xhemail Çupi, ndërsa më pas vijon debati për kandidatët që duhet të zgjedhën ministra në rekonstruimin e Qeverisë me propozim të kryeministrit Dimitar Kovaçevskit.