Ministrja e gafave pafund kujton takimin e parë me Ramën: U sikletosa shumë

Ministrja e Shtetit për Fëmijët dhe Rinën, Bora Muzhaqi, ka qenë e ftuar në emisionin “Jo vetëm modë”, ku ka folur për jetën e saj si pjesë e kabinetit të qeverisë dhe për atë personale.

Ndër momentet që ajo ka zgjedhur të rrëfejë, ka qenë ajo e takimit për herë të parë me kryeministrin Edi Rama.

Ajo është shprehur se është ndjerë shumë në siklet kur e ka takuar për herë të parë.

“Ka qenë para se të shpallej fushata, nuk e kisha takuar asnjëherë më përpara, sigurisht e kisha parë si të gjithë të tjerët në televizion, më kishin njoftuar që isha pjesë e listave për të qenë kandidate për PS-në dhe më thonë që duhet të vish të bësh një video me kryeministrin. Dhe sigurisht isha tek ajo pjesa, po prisja të vinte kryeministri, sigurisht një gjë shumë e madhe kështu e çuditshme, ndoshta një gjë e re për mua dhe ndërkohë që më thonë, shiko se erdhi, kur dëgjoj një zë nga cepi tjetër që kush ishte. “Po kjo Bora ku është?” U ktheva në një moment, ishte kryeministri. U ndjeva shumë e sikletosur, vajta t’i jepja dorën, një gjë që bën çdo njeri normal, prezantohet. I them përshëndetje, unë jam Bora. Po më thotë e di, aty ngela”, tha Muzhaqi.

Kujtojmë që kur Bora Muzhaqi është bërë pjesë e politikës, nën logon e PS, e cilësuar si “ministrja e gafave”, për shkak të gafave që bën gjatë fjalimeve publike apo intervistave.

Një nga ato që ka bërë xhiron e rrjetit ka qenë momenti kur ka dashur të citojë kryeministrin Rama, duke thënë tekstualisht: “Kryeministri ka një shprehje shumë të bukur, kur e krahason se ku kemi qenë dhe ku jemi është si nata me ditën, por kur e krahason se ku duhet të shkojmë është si dita me natën”./albeu.com


Shtuar 24.12.2022 22:36