Nga Firence në Londër, Milani luan gjithçka në 5 ditë

Nga Firence në Londër, brenda 5 ditësh, Milan vendos një pjesë të rëndësishme të sezonit. “Djalli” e nis nga transferta përballë Fiores në Serie A, një skuadër që nuk të lejon të ulësh përqendrimin, një test i fortë përpara Tottenham.

Mbase për herë të parë këtë sezon Stefano Pioli ka në dispozicion grupin e plotë, ka luksin të zgjedhë, një tjetër arsye e fortë për të kuptuar se do të sillet ekipi i tij.

Milan kërkon të blindojë sa më shpejt prezencën në Champions, por ndaj Tottenham pa diskutim luhet një tjetër muzikë, është pa diskutim sfida më e rëndësishme e sezonit. Në tavolinë janë afro 20 milionë euro plus në buxhet, kjo është një arsye jetike pse Milan kërkon me çdo kusht një biletë për në fazën çerekfinale.

Milan vjen pas 4 fitoreve radhazi, vjen pas katër ndeshjeve pa pësuar gol, mbase detaji më i rëndësishëm. Pioli po luan me një skemë të re, me tre mbrojtës, Fiorentina është një test i fortë për të kuptuar nëse është kjo zgjidhja perfekte përpara se të përplasen me Tottenham në Londër.


Shtuar 4.03.2023 10:58