Luftë për Tajvanin? Kina vazhdon manovrat ushtarake për të tretën ditë radhazi

Kina vazhdoi sërish sot me stërvitjet e saj ushtarake në shkallë të gjerë pranë Tajvanit, për të tretën ditë radhazi, si hakmarrje ndaj takimit të presidentes së Tajvanit, Tsai Ing-wen me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kevin Mçarthy javën e kaluar , sipas një deklarate të lëshuar nga forcat e armatosura kineze .

Dhjetëra avionë u vendosën për të zbatuar një “bllokadë ajrore” të territorit të pretenduar nga Pekini, raporton rrjeti televiziv shtetëror kinez ÇTV.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi më herët sot se ka pikasur njëmbëdhjetë anije luftarake kineze dhe pesëdhjetë e nëntë avionë ushtarakë rreth ishullit, ndërsa Pekini zhvillonte stërvitje me zjarr të drejtpërdrejtë. Të hënën në mëngjes, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha në një deklaratë se forcat e armatosura të Tajvanit po monitoronin nga afër situatën dhe po “reagojnë me qetësi”.

Të hënën, ministria regjistroi 59 avionë luftarakë dhe 11 anije nga ushtria kineze brenda katër orëve.

Prej tyre, 39 avionë kishin kaluar vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit dhe kishin hyrë në hapësirën ajrore jugperëndimore dhe juglindore të Tajvanit, duke ndërhyrë në zonat e identifikimit të mbrojtjes ajrore që përbëjnë një zonë tampon jashtë hapësirës ajrore sovrane të Tajvanit.

Pasi Tsai u kthye nga Kalifornia në Taipei vonë të premten, që shënoi takimin e parë të një udhëheqësi kombëtar të Tajvanit dhe përfaqësuesit të SHBA-së në tokën amerikane, Kina nisi stërvitjet ushtarake tre-ditore të shtunën.

Ato përfshinin simulimin e disa sulmeve me saktësi mbi “objektivat kryesore në ishullin e Tajvanit dhe zonat detare përreth.

Ministria e Jashtme e Tajvanit të hënën dënoi provokimin e Kinës, duke thënë se padyshim ka sfiduar urdhrat ndërkombëtarë dhe minuar paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe në rajon.

Ajo përsëriti se fakti që presidentja tajvaneze viziton vendet e tjera për qëllime diplomatike është një e drejtë themelore për një shtet sovran, duke thënë se Kina nuk është në një pozicion ku mund të ndërhyjë në këtë fushë.

Tsai u ndal në SHBA gjatë rikthimit të saj nga Amerika Qendrore, ku u takua me liderët e dy aleatëve diplomatikë, Guatemala dhe Beliza.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se koha e saj në SHBA nuk ishte një vizitë zyrtare.

Udhëheqja komuniste në Pekin e konsideron ishullin e vetëqeverisur demokratikisht të Tajvanit si pjesë të Kinës dhe kërcënon ta pushtojë atë.

Një vizitë në Tajvan nga paraardhësja e McCarthy, Nancy Pelosi në gusht, rriti tensionet në mënyrë të ngjashme dhe Pekini kreu edhe atëherë stërvitje ushtarake pranë Tajvanit. Uashingtoni ka qenë i përkushtuar ndaj aftësive mbrojtëse të Tajvanit që nga viti 1979, gjë që deri tani ka nënkuptuar kryesisht dërgesa të armëve.